Protesta e tenistëve mbërrin në Wimbledon, lojtarët kufizojnë daljet para mediave!

Në më pak se 1 javë nga nisja zyrtare e turnut më të vjetër të tenisit Wimbledon, protesta e tenistëve më të mirë të botës vazhdon edhe në prag të nisjes së Grand Slem londinez. Ashtu si në Roland Garros, yjet e ATP dhe WTA kanë vendosur të kufizojnë në vetëm 15 minuta konferencat e tyre për shtyp gjatë javës së parë të turneut, si shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës se si shpërndahen të ardhurat në tenis.

Përfaqësuesit e lojtarëve kanë bërë të ditur se ky kufi simbolik prej 15 minutash pasqyron përqindjen e të ardhurave që, sipas tyre, u takon aktualisht tenistëve, më pak se 15 për qind e totalit.

Në një komunikatë zyrtare, ata theksojnë se vendimi është marrë pas konsultimeve të gjera me lojtarët e të dy qarqeve, ATP dhe WTA, ndërsa kanë vlerësuar njëkohësisht rritjen e fondit të shpërblimeve nga organizatorët e Wimbledonit.

Edicioni i këtij viti do të shpërndajë një fond rekord prej 64.2 milionë paundësh, ose rreth 74.4 milionë euro, një rritje me 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Organizatorët e kanë cilësuar këtë si rritjen më të madhe vjetore të çmimeve në historinë e turneut.

Megjithatë, pavarësisht këtij rekordi financiar, debati mbi ndarjen e të ardhurave mes organizatorëve dhe lojtarëve mbetet i hapur, duke shtuar një tjetër temë të nxehtë në prag të nisjes së një prej turneve më prestigjioze të tenisit botëror.