CLLEVIO TREGON SHERRET ME NOIZIN/ Këngëtari: Lajmin për tritolin në lokal e mora nga shokët e burgut
Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio, dëshmoi se është rritur me Laert Haxhiun, por nuk ka pasur kontakte me të prej vitit 2020 dhe mohoi dijeni për tritolvënien ndaj bizneseve të Noizyt. Ai tregoi konfliktin me Noizyn dhe tha se lajmin për shpërthimin me tritol e mësoi nga shokët e burgut
Reperi i njohur Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si “Cllevio”, dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, në lidhje me tritolvënien ndaj bizneseve të Rigels Rajkut, i njohur si Noizy.
Ai tha se me Haxhiun është rritur në të njëjtën lagje, por pretendoi se nuk e ka takuar apo kontaktuar që prej vitit 2020.
Kleviol Ahmeti: Me Laert Haxhiun kam njohje. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht.
“Cllevio”, siç e identifikon veten në art, tregoi edhe prapaskenat e konfliktit me Noizyn.
Kleviol Ahmeti: Kur na shante Noizy, ne ishim në Amerikë. Kur dola në vitin 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova ta ngacmoja në mënyrë artistike, që quhet diss. Kur bëra këngën, u bëra i famshëm dhe kjo po më pëlqente.
Këngëtari tregoi edhe përplasjen ku u dhunua në Durrës nga Noizy dhe persona të tjerë.
Cllevio: Shkova për t’i kërkuar falje. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova, sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.
Kjo ngjarje, sipas SPAK-ut, nxiti Laert Haxhiun të porosiste sulmin me eksploziv ndaj bizneseve të Noizyt, por Kleviol Ahmeti tha se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë.
Cllevio: Lajmin për shpërthimin me tritol te lokali i Noizyt e mësova nga shokët e burgut. Më pas më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol. Nuk më ka ardhur asnjë fjalë që Laerti ta ketë bërë këtë gjë.
Kleviol Ahmeti mohoi njohje me anëtarët e grupit të Laert Haxhiut, ndërsa tha se nuk do të pajtohet me Noizyn.
