VIDEO/ Pas 1 viti mastektomi, Jessie J ndan momentin delikat të sëmundjes: Kontrollohuni, mund t'ju shpëtojë jetën
Jessie J ka ndarë me ndjekësit një mesazh prekës në përvjetorin e parë të mastektomisë së saj, operacion të cilit iu nënshtrua pasi u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2025.
Këngëtarja 38-vjeçare publikoi në Instagram një video nga periudha e rikuperimit pas ndërhyrjes kirurgjikale, duke reflektuar mbi sfidën e saj me sëmundjen dhe duke përcjellë një mesazh të fortë ndërgjegjësimi për rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore.
Jessie J kishte bërë të ditur vitin e kaluar se kanceri i gjirit ishte zbuluar në një fazë të hershme, çka i mundësoi nisjen e menjëhershme të trajtimit. Si pjesë e këtij procesi, ajo iu nënshtrua një mastektomie në anën e djathtë.
Vetëm një muaj pasi njoftoi publikisht se tashmë është “pa kancer”, artistja vendosi të ndajë me fansat e saj një kujtim nga një prej periudhave më të vështira të jetës.
“Kontrolloni gjinjtë dhe sqetullat, njerëz. Mund t’ju shpëtojë jetën”, shkroi ajo në përshkrimin e videos së publikuar në rrjetet sociale.
Me humorin që e karakterizon, këngëtarja shtoi se edhe pse po kalonte një moment të vështirë, nuk e tregonte në pamje të parë.
“Kam bërë një mastektomi në anën e djathtë dhe është e çmendur se sa shumë nuk dukesha sikur isha në një situatë kaq të keqe. Koha për të shkëlqyer. 12 qershori 2025 më ndryshoi përgjithmonë”, shkroi ajo.
Artistja shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për mjekun që e ndoqi gjatë trajtimit.
“Faleminderit Dr. Gui. Je një hero për mua përgjithmonë”, përfundoi Jessie J në mesazhin e saj.
Rrëfimi i këngëtares është pritur me mijëra reagime mbështetëse nga fansat dhe kolegët e saj, ndërsa mesazhi i saj për diagnostikimin e hershëm dhe kontrollet periodike është vlerësuar si një thirrje e rëndësishme për ndërgjegjësim në luftën kundër kancerit të gjirit.
View this post on Instagram

