VIDEO/ Kryeministri Rama pritet nga Macron në Paris, në fokus integrimi në BE
Presidenti francez Emmanuel Macron ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Pallatin Élysée. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Macron vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e vijimit të reformave për avancimin e procesit të integrimit. Takimi u fokusua gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor dhe të mbrojtjes.
Franca zyrtare është në mbështetje të plotë të rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Këtë qëndrim e bëri publik Presidenti francez Emanuel Macron në rrjetin social X ku ndau një mesazh pas takimit të zhvilluar në Pallatin Elize me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Momenti shumë pozitiv në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës në fushat e inovacionit, arsimit, kulturës dhe turizmit, dëshmon për afërsinë tonë. Ne duam t’i japim asaj një shtysë të re, ndërkohë që vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe mbrojtës. Franca riafirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për ndjekjen e reformave të nevojshme për të avancuar në rrugën e saj evropiane” – shkroi Macron në postim.
Kryeministri Rama u prit në Pallatin Élysée nga Presidenti francez, ku zhvilloi një drekë zyrtare pune në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Francës.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve, teksa Tirana zyrtare synon të avancojë procesin e integrimit evropian dhe po përgatitet për organizimin e Samitit të NATO-s vitin e ardhshëm.
Franca mbetet një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Presidenti Macron ka qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Marrëdhëniet mes Ramës dhe Macron janë intensifikuar vitet e fundit përmes një serie takimesh dypalëshe. Vizita e presidentit francez në Tiranë në vitin 2023 u pasua nga udhëtimi i kryeministrit shqiptar në Paris në prill 2024 dhe më pas nga vizita e dytë e Macron në Shqipëri në maj të vitit 2025.
Gjatë kësaj periudhe, dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fusha strategjike si energjia, turizmi i qëndrueshëm dhe inovacioni. Një nga projektet më të rëndësishme lidhet me zhvillimin e turizmit në rajonin e Korçës, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim.
Takimi në Paris konsiderohet një tjetër sinjal i forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës, në një kohë kur mbështetja e vendeve kyçe të Bashkimit Evropian mbetet vendimtare për rrugëtimin evropian të Tiranës.
