Glukozamina mund të përshpejtojë përkeqësimin e demencës
Një studim i ri ka ngritur shqetësime mbi përdorimin afatgjatë të glukozaminës, një suplement shumë i përhapur pa recetë që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve.
Sipas hulumtimit, përdorimi i rregullt i saj mund të lidhet me një rrezik më të lartë të përparimit të demencës, sipas Reuters.
Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të mbledhura mes viteve 2012 dhe 2024 nga afro 60 mijë pacientë me nivele të ndryshme të dëmtimit njohës.
Rezultatet treguan se personat që përdornin rregullisht glukozaminë kishin 25% më shumë gjasa të zhvillonin demencë krahasuar me ata që nuk e përdornin.
Studimi zbuloi gjithashtu se te pacientët që tashmë vuanin nga demenca, përdorimi i glukozaminës shoqërohej me një rritje prej 25% të rrezikut të vdekjes gjatë periudhës së vëzhgimit.
Ky efekt nuk u vu re te personat me dëmtim të lehtë njohës, duke sugjeruar se ndikimi i suplementit mund të jetë më i madh në fazat e avancuara të sëmundjes.
Për të kuptuar mekanizmin e mundshëm, shkencëtarët kryen edhe eksperimente në kafshë.
Ata zbuluan se glukozamina mund të përkeqësojë një proces të njohur si hiperglikozilim, ku molekulat e sheqerit lidhen në mënyrë jonormale me proteinat në tru, duke penguar funksione të rëndësishme neurologjike.
Bashkautori i studimit, Matt Gentry, theksoi se të dhënat janë shumë provokuese, por nuk provojnë ende një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
Sipas tij, rezultatet ngrenë një pyetje të rëndësishme klinike që meriton hetime të mëtejshme.
Një koment shoqërues i botuar së bashku me studimin në “Nature Metabolism sugjeron se procesi i glikozilimit mund të jetë një objektiv i ri terapeutik në luftën kundër demencës.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten studime të tjera përpara se të rekomandohet ndryshimi i përdorimit të glukozaminës tek pacientët.

