Përplasi makinat e policisë për t’i shpëtuar prangave/ Pas arratisë, kapet në orët e para të mëngjesit në Ksamil “Vis Korçari” (FOTO+DETAJE)
Elvis Koçi, i njohur si “Vis Korçari”, është arrestuar në Ksamil pas një operacioni të policisë. Sipas të dhënave paraprake, ai tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke përplasur dy automjete policie, ndërsa në vitin 2020 kishte mbetur i plagosur në një atentat në Elbasan.
Një operacion i përbashkët i strukturave operacionale të Policisë së Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë ka çuar në arrestimin e 34-vjeçarit Elvis Koçi, i njohur edhe me emrin Elvis Çaushllari dhe me nofkën “Vis Korçari”. Ai u vu në pranga në Ksamil pas një ndjekjeje nga policia, gjatë së cilës tentoi t’i shpëtonte arrestimit.
Sipas informacioneve paraprake, efektivët e policisë kishin kohë që po monitoronin lëvizjet e 34-vjeçarit dhe e lokalizuan në Ksamil. Operacioni për kapjen e tij u organizua rreth orës 22:30, me pjesëmarrjen e forcave operacionale dhe agjentëve civilë të sektorit të Krimeve.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, sapo ka konstatuar praninë e policisë, Elvis Çaushllari ka tentuar të largohet me automjetin që drejtonte. Gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar arrestimit, ai dyshohet se ka kryer manovra të rrezikshme dhe ka përplasur dy automjete civile të policisë, duke arritur fillimisht të çajë rrethimin e ngritur nga efektivët.
Menjëherë pas incidentit është organizuar ndjekja e tij, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe forcat e FNSH-së. Pas rreth 30 minutash kërkime, 34-vjeçari është lokalizuar pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku është neutralizuar dhe arrestuar.
Policia ka sekuestruar edhe automjetin me të cilin lëvizte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi motivet e ndalimit, por burime jozyrtare sugjerojnë se ai mund të kërkohej për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Elvis Çaushllari është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe për kronikën e grupeve kriminale në Elbasan. Ai u arrestua në vitin 2022 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, të zhvilluar nga SPAK, ndërsa më pas u lirua. Më herët, në nëntor të vitit 2020, ai i shpëtoi një atentati në Elbasan, ku mbeti i plagosur me një plumb në shpatull.
Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme lidhur me akuzat dhe rrethanat e operacionit, ndërsa hetimet vijojnë.
