Posedonte mbi 1 kg k*kainë me qëllim shitjen në zona të ndryshme të kryeqytetit, pranga 44-vjeçarit në Tiranë
Policia e Tiranës arrestoi 44-vjeçarin Sokol Kuçi, i dyshuar si furnizues i shpërndarësve të kokainës në kryeqytet, ndërsa iu sekuestruan 1 kilogram e 680 gramë kokainë.
Sipas hetimeve, ai furnizonte persona të tjerë për shitje në doza dhe shpërndante vetë një pjesë të lëndës narkotike.
Ky është momenti kur Policia e Tiranës arrestoi një 44-vjeçar të identifikuar si Sokol Kuçi, i akuzuar se furnizonte me kokainë shpërndarësit e drogës së fortë në kryeqytet.
Policia thotë se kishte marrë informacion se ai do të transportonte një sasi të konsiderueshme droge, ndaj organizoi një operacion për ta vënë në pranga.
Të dhënat e marra në rrugë operative rezultuan të sakta.
Sokol Kuçit iu gjet dhe sekuestrua 1 kilogram e 680 gramë lëndë narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas furnizonte persona të tjerë me lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen e saj në doza, ndërsa një pjesë të sasisë e shpërndante vetë.
Policia thotë se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Ky aksion është vijim i operacionit të koduar “Zonat”, të zhvilluar gjatë muajve maj dhe qershor, ku janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë.
Ndërkohë, në një tjetër operacion, Policia e Tiranës arrestoi një 38-vjeçar, të cilit iu gjetën rreth 1500 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat i mbante me qëllim shitjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook shkrime me përmbajtje nxitëse për urrejtje, si dhe foto ku shfaqej një person duke mbajtur armë zjarri.
38-vjeçari do të përballet me akuzat për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kanosja” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.
