Ushqimet e duhura në verë, Xhafa: Frutat dhe perimet e sezonit, çelësi i një ushqyerjeje të shëndetshme në verë!

Temperaturat e larta të verës kërkojnë një kujdes të shtuar ndaj ushqyerjes dhe hidratimit. E ftuar në një intervistë për Ora News, dietologia Rovena Xhafa theksoi rëndësinë e konsumit të ushqimeve sezonale dhe lokale, të cilat jo vetëm që janë më të pasura me vitamina, minerale dhe antioksidantë, por ndihmojnë edhe në mbështetjen e prodhuesve vendas.

Sipas Xhafës, frutat dhe perimet e stinës si shalqiri, pjeshkët, kajsitë, boronicat, domatet dhe kastravecat përbëjnë zgjedhjen ideale gjatë muajve të nxehtë, pasi ndihmojnë në hidratimin e organizmit dhe furnizimin e tij me lëndët ushqyese të nevojshme. Ajo nënvizoi se ushqimet sezonale janë pjesë e një diete të shëndetshme dhe luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e disa sëmundjeve.

Dietologia ngriti gjithashtu shqetësimin për rrezikun e shtuar të helmimeve ushqimore gjatë verës. Sipas saj, temperaturat e larta krijojnë kushte ideale për shumimin e baktereve, veçanërisht në mish, produkte bulmeti, vezë, ushqime të gatuara dhe produkte fast food që nuk ruhen në kushtet e duhura.

Xhafa rekomandoi që konsumatorët të tregojnë kujdes të veçantë për origjinën dhe cilësinë e ushqimeve që konsumojnë, ndërsa theksoi rëndësinë e higjienës personale, veçanërisht larjen e duarve para përgatitjes së ushqimit. Ajo këshilloi gjithashtu që gjatë plazhit, piknikëve apo aktiviteteve në natyrë, ushqimet të ruhen në çanta termike ose frigoriferë portativë për të shmangur ekspozimin e gjatë ndaj diellit.

Në përmbyllje, dietologia apeloi për më shumë kujdes ndaj produkteve që prishen shpejt, si ato me bazë vezësh, majonezë, qumësht apo produkte deti, duke theksuar se siguria ushqimore gjatë verës është po aq e rëndësishme sa edhe cilësia e ushqimit që konsumojmë.

Rovena Xhafa: Frutat dhe perimet e sezonit piqen natyrshëm dhe përmbajnë më shumë vitamina, minerale dhe antioksidantë, ndërsa produktet që ruhen për periudha të gjata, ose transportohen nga larg, mund të humbasin edhe një pjesë të këtyre lëndëve ushqyese. Gjatë verës, zgjedhja e frutave e perimeve lokale si shalqiri, pjeshkët, kajsitë, boronicat, domatet, kastravecat, janë një mënyrë e shkëlqyer për të hidratuar organizmin dhe për të marrë lëndët ushqyese që i nevojiten trupit.

Por përveç përfitimeve për shëndetin, konsumi i ushqimeve sezonale mbështet edhe prodhuesit vendas për një mënyrë edhe më të qëndrueshme të ushqyerit. Sot gjithnjë e më shumë njerëz po ndërgjegjësohen për rëndësinë e ushqimeve sezonale dhe lokale, si një pjesë e një diete të shëndetshme dhe parandaluese përsa i përket disa sëmundjeve. Në fakt, gjatë verës për shkak të temperaturave të larta rritet dhe rreziku për disa probleme shëndetësore që lidhen drejtpërdrejt me ushqyerjen dhe hidratimin.

Kjo  nga temperaturat e larta ,nuk favorizohet edhe shumimi i baktereve në ushqime, sidomos kur nuk ruhen apo nuk transportohen me temperaturat e sakta. Dhe për këtë arsye duhet të jemi shumë të kujdesshëm përsa i përket mishit, produkteve të qumështit, vezët, dhe ushqimet e gatuara apo ushqimet e procesuara, fast food që mund të porosisim jashtë.

Është e vërtetë, edhe për këtë arsye gjatë verës siguria ushqimore bëhet po aq e rëndësishme sa vetë cilësia e ushqimit. Prandaj dhe duhet të jemi të kujdesshëm edhe për sa i përket ushqimeve të fast food, sepse temperaturat e larta krijojnë kushte ideale për shumëzimin e baktereve, apo që mund të shkaktojnë helmime ushqimore, prandaj dhe është thelbësore se ku i marrim ushqimet, çfarë cilësie kanë edhe në çfarë standardi për sa i përket cilësisë ushqimore bëhet fjalë.

Mund të varet, për shembull disa nga gabimet është kontaminimi i ushqimeve të gatshme me përmbajtje të lartë bakteresh apo për sa i përket higjienës, domethënë për larjen e duarve përpara përgatitjes së ushqimit që kjo mbetet një nga masat më të thjeshta dhe më efektive për parandalimin e infeksioneve. Ose kur jemi në plazh, piknik apo barbeque që mund të zhvillohet, rekomandohet për shembull që ushqimet të ruhen në çanta termike ose në frigoriferë portativë që mos të lihen në periudha kohore të gjata në diell.

Janë disa nga këto faktorë të cilët na bëjnë që duhet të jemi të kujdesshëm për produktet që prishen më shpejt të cilat kanë përmbajtje veze, majoneza, qumësht apo produktet e detit. Këtu nuk mund të përmendim vetëm ushqimet e gatshme fast food, por edhe një kategori akoma më të madhe ushqimore e cila përbën një rrezik të madh për sa i përket infeksioneve bakteriale që mund të ndikojë ky kontaminim ushqimor.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË