Gjykata dënon me 4 vite burg djalin e Princeshës Mette-Mari-t!

Marius Borg Hoiby, djali 29-vjeçar i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, është dënuar me 4 vite burg pasi u shpall fajtor për dy raste përdhunimi dhe disa vepra të tjera penale. Gjykata e Oslos e liroi nga akuzat për dy raste të tjera përdhunimi, por konfirmoi përgjegjësinë e tij për një sërë veprash të dhunshme ndaj grave. Vendimi konsiderohet një nga goditjet më të forta për imazhin e familjes mbretërore norvegjeze në vitet e fundit.
Gjykata dënon me 4 vite burg djalin e Princeshës Mette-Mari-t!

Një gjykatë në Oslo ka dënuar me katër vite burg Marius Borg Høiby, pas një procesi gjyqësor që ka tërhequr vëmendje të madhe publike në vend.

29-vjeçari u shpall fajtor për dy raste përdhunimi, ndërsa u lirua nga akuzat për dy raste të tjera. Gjykata konstatoi gjithashtu se ai kishte kryer një sërë veprash të tjera, përfshirë dhunë ndaj ish-partnereve dhe sjellje të rrezikshme.

Sipas vendimit, një nga rastet e përdhunimit ka ndodhur në vitin 2018 në rezidencën mbretërore të Skaugum, ndërsa rasti tjetër lidhet me një ngjarje të ndodhur në Oslo gjatë vitit 2024.

Gjykata arriti në përfundimin se viktimat nuk ishin në gjendje të kundërshtonin veprimet, pasi ndodheshin në gjumë ose të paafta për të reaguar. Një nga provat kryesore të paraqitura gjatë procesit ishin video të regjistruara nga vetë i pandehuri.

Përveç dënimit me burg, Høiby është urdhëruar të paguajë rreth 640 mijë korona norvegjeze dëmshpërblim për katër prej grave të përfshira në çështje.

Çështja ka hedhur një hije të rëndë mbi familjen mbretërore të Norvegjisë. Edhe pse Høiby nuk mban titull mbretëror, ai është rritur në familjen e Mette-Marit dhe Haakon.

Situata është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të princeshës Mette-Marit, e cila vuan nga fibrozë pulmonare dhe ndodhet në listën e pritjes për transplant të mushkërive.

Ndërkohë, avokatët e Høiby kanë lënë të hapur mundësinë e apelimit të vendimit, ndërsa Pallati Mbretëror ka bërë të ditur se nuk do të komentojë mbi vendimin e gjykatës.