DITA E 14-TË NË PROTESTË/ Me parrulla dhe thirrje, qytetarët mbushin sheshin. Ja çfarë pritet të ndodh në tubimin e sotëm

Me parrulla dhe thirrje, tashmë sheshi "Skendërbej" nuk mund të përfytyrohet ndryshe veçse me protestues qytetarë të cilët në kor kërkojnë rrëzimin e qeverisë.

Jemi në ditën e 14-të ku shqiptarët nga çdo qytet i vendit dhe nga diaspora, i janë bashkuar tubimit dhe ka nisur me flamuj dhe shumë brohorima.

Nga ana tjetër sipas pamjeve të siguruar nga Ora News, mbështetja e diasporës po bëhet edhe më e "flaktë" pasi shumë shqiptarë të emigruar jashtë, i janë kthyer Shqipërisë posaçërisht për këtë kauzë.

Kauza e emigracionit masiv, problemeve ekonomike, mungesa në sistemin shëndetësor, edhe qoftë projekti në Zvërnec dhe shumë faktorë të tjerë, kanë mbledhur shqiptarët ngado në këtë tubim qytetar.

Si rrjedhojë e kësaj pjesëmarrjeje më të shtuar nga qytetarët që jetojnë si brenda dhe jashtë Shqipërisë, pritet të ketë thirrje dhe mesazhe më të fuqishme kundrejt qeverisë aktuale.

DITA E 14-TË NË PROTESTË/ Me parrulla dhe thirrje, qytetarët

Pas pranisë së dukshme të flamujve amerikanë dhe gjermanë në tubimet e kaluara, pasditen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është shfaqur edhe flamuri i Britanisë së Madhe, përkrah atij shqiptar.

Prania e këtyre flamujve lidhet ngushtë edhe me mesazhin e diasporës së madhe shqiptare që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po ndjek me shqetësim zhvillimet në vendlindje.

Përdorimi i simboleve të shteteve të mëdha perëndimore në shesh po kthehet në një traditë të kësaj lëvizjeje qytetare, ku protestuesit kërkojnë që Shqipëria të adoptojë të njëjtat standarde të drejtësisë, meritokracisë dhe llogaridhënies sikurse vendet demokratike ku ata shohin të ardhmen e tyre.