Billy Ray Cyrus flet për sëmundjen e vështirë: Mendova se nuk do t’ia dilja!
Këngëtari i njohur amerikan, Billy Ray Cyrus, ka zbuluar se gjatë vitit 2024 kaloi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, pasi u përball me një rast të rëndë sepsa që rrezikoi seriozisht jetën e tij.
Në një intervistë për revistën People, artisti 64-vjeçar tregoi se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua aq shumë sa mendoi se nuk do t’ia dilte.
“U sëmura shumë rëndë dhe pothuajse vdiqa. Trupi im po mbushej me toksina. Nëse gjendja do të ishte përkeqësuar edhe pak, do të kisha humbur jetën”, u shpreh ai.
Cyrus rrëfeu se gjatë asaj periudhe kalonte shumë kohë në lutje, duke kërkuar forcë dhe shpresë për t’u rikuperuar. Sipas tij, momenti vendimtar erdhi para operacionit të fundit, kur mjekët konstatuan se problemi ishte zhdukur.
“Kur shkova për operacionin e fundit, mjekët më thanë se problemi ishte zhdukur dhe se isha shëruar. Për mua ishte një mrekulli”, tha këngëtari.
Ai zbuloi gjithashtu se sepsa i shkaktoi paralizë të kordave vokale, duke e lënë për një periudhë të paaftë për të folur dhe për të kënduar.
Në rrëfimin e tij emocional, Billy Ray Cyrus vlerësoi rolin e familjes në procesin e rikuperimit, veçanërisht të vajzës së tij, Noah Cyrus. Sipas artistit, kënga e saj “Don’t Put It All On Me”, e shkruar nga djali i tij Braison Cyrus, e ndihmoi të përballonte momentet më të vështira.
“E dëgjoja gjatë gjithë ditës. Më sillte paqe dhe sinqerisht besoj se ajo këngë më shpëtoi”, përfundoi ai.
