Romët, Wilton: Policia, gjyqësori dhe Bashkia e Tiranës t’i përgjigjen thirrjes së Totozanit
Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, nxiti sot policinë, gjyqësorin dhe Bashkinë e Tiranës t’i përgjigjen thirrjes së Avokatit të Popullit për një përgjigje ligjore ndaj situatës së familjeve rome të kërcënuara me nxjerrje nga banesa.Sot është afati jozyrtar që një kompani ndërtimi u ka vënë familjeve rome për të liruar vendin ku jetojnë, në mënyrë që të fillojnë punimet.“Kjo çështje duhet të marrë përgjigje përmes sundimit të ligjit, jo sundimit të betonit. Pronësia mund të vërtetohet vetëm përmes gjykatës, jo përmes kërcënimeve të dhunës”, tha Wilton, pas një takimi që pati sot me Avokatin e Popullit, Igli Totozani dhe të Ngarkuarin me Punë në detyrë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Jochen Schult.Wilton tha se, në takim, ata njohën përgjegjësinë e policisë dhe të gjykatës për sigurimin e një trajtimi paqësor dhe ligjor të situatës, si dhe përgjegjësinë e Bashkisë së Tiranës për të siguruar strehim të përshtatshëm për çdo familje që mund të nxirret nga banesa.“Prezenca e OSBE-së është në komunikim të vijueshëm me policinë dhe unë marr zemër nga përkushtimi i tyre për të parandaluar një nxjerrje me dhunë dhe për të siguruar që gjykata të ketë kohë të bëjë punën e saj”, tha Wilton.“Ne, në bashkërendim me Delegacionin e Bashkimit Evropian, jemi të gatshëm të mbështesim Bashkinë e Tiranës në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë të kësaj situate”.