Akademia e Shkencave mbështet kërkesat e drejta të Preshevës

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryesia e saj dhe drejtorët e instituteve të albanologjisë pranë Akademisë së Shkencave, në takimin me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, e shoqëruar nga prof. dr. Ilir Zylfiu, u njohën nga afër me problemet dhe shqetësimet me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këtë rajon.

Në takim u paraqitën problematika që lidhen me politikat që synojnë shpopullimin gradual e të heshtur të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si: mosnjohja e diplomave të dhëna nga universitetet e Kosovës; punësimi i funksionarëve dhe specialistëve të lartë mbi kritere e preferenca etnike në të gjitha fushat dhe sektorët; nxitja e emigrimit të detyruar të të rinjve; politika e pasivizimit të adresave të qytetarëve me alibi ligjore, jashtë çdo praktike e standardi europian.

U theksua gjithashtu se këto politika shoqërohen me një qasje diskriminuese ndaj zhvillimit ekonomik, arsimor dhe kulturor të rajonit, në raport me zonat e tjera, si dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e shqiptarëve.

Në takim u nënvizua nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve kryesore akademike, arsimore dhe ekzekutive, pasi, me gjithë përpjekjet e ndërmarra deri më tani për ndërkombëtarizimin e problematikave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e më gjerë në organizma dhe institucione ndërkombëtare, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, ato ende nuk kanë gjetur zgjidhjen e duhur.

Akademia e Shkencave mbështet kërkesat e drejta të Preshevës

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpreh mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë për shqetësimet e ngritura në takim dhe për përpjekjet për garantimin e lirive e të drejtave themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sipas standardeve europiane për pakicat kombëtare, si qytetarë të barabartë që gëzojnë të njëjtat të drejta individuale, institucionale, kombëtare dhe vetëqeverisëse lokale si pakicat në Kosovë dhe kudo në Evropë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpreh gatishmërinë për angazhimin e saj dhe të strukturave pranë saj për të bashkëpunuar në evidentimin dhe adresimin me argumente shkencore të problemeve të mësipërme, veçanërisht të atyre që lidhen me historinë, kulturën dhe arsimin, si dhe për paraqitjen e rrugëzgjidhjeve pranë institucioneve kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare.

Akademia e Shkencave mbështet kërkesat e drejta të Preshevës

Akademia vlerëson se organizimi i një strukture të posaçme do të ndihmonte dhe lehtësonte koordinimin e bashkëpunimit ndërmjet saj dhe institucioneve të tjera, veçanërisht me drejtuesit dhe institucionet e komunës dhe të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.