BE urdhëron WhatsApp-in të rikthejë falas aksesin për rivalët e inteligjencës artificiale

Komisioni Evropian ka urdhëruar WhatsApp-in, shërbimin e mesazheve në pronësi të Meta-s, t’u rikthejë pa pagesë aksesin rivalëve të inteligjencës artificiale (IA) deri në përfundimin e hetimit antitrust, që po zhvillohet ndaj kompanisë.

“Në tregjet që ndryshojnë me shpejtësi, konkurrenca mund të dëmtohet shumë përpara se të merret një vendim përfundimtar”, tha sot nënkryetarja e Komisionit Evropian dhe përgjegjësja për konkurrencën, Teresa Ribera.

Sipas saj, kjo masë do të mbrojë konkurrencën në tregun në rritje të asistentëve të inteligjencës artificiale, duke ruajtur WhatsApp-in, si një kanal të rëndësishëm për të siguruar aksesin e konsumatorëve në Evropë.

Ajo shtoi se vendimi do t’u mundësojë kompanive të AI-së të vazhdojnë të sjellin risi, të zgjerohen dhe të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre.

Komisioni Evropian njoftoi se “Meta”, kompania mëmë e WhatsApp-it, Facebook-ut dhe Instagram-it, duhet të zbatojë urdhrin brenda pesë ditëve.

Ekzekutivi i BE-së po heton “Meta-n” për shkelje të mundshme të rregullave evropiane të konkurrencës, pasi gjiganti amerikan i teknologjisë njoftoi vitin e kaluar, se do të kufizonte aksesin e ofruesve rivalë të inteligjencës artificiale, në platformën WhatsApp.

Në prill, Komisioni kërcënoi me vendosjen e masave të përkohshme ndaj WhatsApp-it, pasi “Meta” bëri të ditur se do të rikthente aksesin vetëm kundrejt pagesës së një tarife.

Sipas Komisionit, vendosja e një tarife përbën në praktikë, të njëjtin efekt si ndalimi i mëparshëm i aksesit.

“Nuk mund të lejojmë që të dëmtohet struktura konkurruese e tregut të asistentëve të inteligjencës artificiale, me përdorim të përgjithshëm, një treg që po zhvillohet me ritme të shpejta”, thuhet në një deklaratë të Komisionit.

Sipas autoriteteve evropiane, ndryshimi i politikës së “Meta-s”, rrezikon të dëmtojë konkurrencën, në një moment kyç, për zhvillimin e këtij sektori, ku kompanitë e vogla dhe aktorët e rinj mund të sfidojnë kompanitë e mëdha, që dominojnë tregun.

Nëse hetimi përfundon me konstatimin se “Meta” ka shkelur ligjin evropian të konkurrencës, Komisioni mund të vendosë sanksione financiare ndaj kompanisë.

Nuk ka një afat të përcaktuar ligjor, për përfundimin e hetimeve antitrust, në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, “Meta” përballet edhe me procedura të tjera në BE, për shkelje të dyshuara të rregullave evropiane në fushën digjitale.

Në tetor, Komisioni Evropian paralajmëroi se kompania mund të përballet me gjoba të mëdha, për mungesë transparence, lidhur me të dhënat dhe mënyrën e trajtimit të përmbajtjeve të paligjshme në Facebook dhe Instagram.

Po ashtu, Komisioni dyshon se “Meta”, mund të ketë shkelur rregullat për mbrojtjen e të miturve, përfshirë dështimin për të mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme fëmijët dhe të rinjtë, nga efektet e algoritmeve që mund të krijojnë varësi.