Kualifikimi në play-off-in e Botërorit, Rama publikon VIDEON e festimeve: Arritje historike e Kombëtares së vajzave

Kombëtarja shqiptare e vajzave arriti një sukses historik, duke mposhtur Malin e Zi me rezultatin e thellë 5-2 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të Botërorit “Brazil 2027”.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me këtë sukses, ndërsa u shpreh se vetëm pas 16 vitesh rrugëtim, vajzat kuqezi bënë histori duke siguruar një vend në PlayOff-in e Kupës së Botës, FIFA Brazil 2027.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse, duke përmbysur dy herë disavantazhin dhe duke dominuar takimin përballë tifozëve kuqezi.

Ndeshja nisi me Shqipërinë në sulm, me Fortesa Berishën që goditi traversën që në minutën e 4-t dhe me disa raste të tjera të pastra për shënim. Megjithatë, ishin mikeshat që kaluan të parat në avantazh në minutën e 20-të.

Pavarësisht rasteve të shumta të Shqipërisë, Mali i Zi shënoi sërish në fundin e pjesës së parë. Por Fortesa Berisha riktheu menjëherë baraspeshën, duke finalizuar një aksion të bukur të ndërtuar nga Megi Doçi dhe Klea Hamonikaj për rezultatin 2-2.

Shqipëria vulosi fitoren në minutën e 70-të, kur Arbiona Bajraktari shënoi golin e pestë, sërish me asist të Franjës, duke mbyllur një mbrëmje historike me rezultatin përfundimtar 5-2.

Falë kësaj fitoreje, Kombëtarja shqiptare e vajzave siguron kualifikimin në play-off-in e Botërorit 2027, konfirmon qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B.