Bashkëpunuan me Laert Haxhiun, GJKKO jep vendimet për Artan Tafanin dhe Kristi Bixhekun

GJKKO dënoi ish-anëtarët e grupit të Laert Haxhiut, Kristi Bixhekun dhe Artan Tafanin, për vendosje tritoli dhe sigurim kushtesh për vrasje, duke i ulur dënimet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ata u shpallën fajtor për sulme me tritol dhe sigurim kushtesh për vrasje.

Gjykata e Posaçme dënoi me burg Kristi Bixhekun dhe Artan Tafanin, ish-anëtarë të grupit të Laert Haxhiut, i cili po gjykohet veçmas për 14 ngjarje kriminale që sipas SPAK janë kryer nga prilli 2021 deri në maj 2023.

Kristi Bixheku u shpall fajtor për vendosjen e lëndës plasëse në dy raste në dëm të Bujar Turkut, në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022 në Lushnjë.

Për këto akuza ai u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite e 4 muaj.

Për një episod tjetër, që lidhej me sigurimin e kushteve për vrasjen e Genci Hidës në vitin 2023, ai u shpall i pafajshëm.

Ndërsa Artan Tafani u shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Rexhep Ginës në Lushnjë, më 6 korrik 2022.

Ai u dënua me 7 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul në 4 vite e 8 muaj. Duke qenë bashkëpunëtor i drejtësisë, Tafani përfitoi ulje të mëtejshme dhe u dënua përfundimisht me 2 vite e 4 muaj burg.

Laert Haxhiu, ndërkohë ëhstë dënuar me burgim të përjetshëm për atë që njihet si “Masakra e Lushnjës” ku  u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa shenjestër e dyshuar besohet se ishte  Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes.