Zgjidhet projekti fitues për Memorialin “Adem Jashari” në Prishtinë!
Janë shpallur projektet fituese për Memorialin Përkujtimor “Adem Jashari”, i cili do të ndërtohet në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se koncepti i vlerësuar me vendin e parë nga komisioni profesional do të realizohet në kryeqytet dhe do të përfaqësojë figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificën e familjes Jashari.
“Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, do të kumbojë përgjithmonë zëri i Komandantit Legjendar Adem Jashari”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, projekti fitues mban emrin “Zâni i Lirisë” dhe është konceptuar si një simbol i përhershëm i lirisë së Kosovës.
“Janë shpallur projektet fituese për ‘Memorialin Përkujtimor Adem Jashari’. Koncepti i vendit të parë, i përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues, do të marrë jetë në kryeqytetin e Kosovës, duke bartur me vete peshën e jashtëzakonshme kombëtare, historike dhe emocionale që përfaqëson figura e Komandantit Legjendar dhe familja historike Jashari”, ka thënë ai.
Rama ka theksuar se memoriali “Zâni i Lirisë” është frymëzuar nga mesazhi dhe qëndresa e Adem Jasharit./telegrafi
