Flet për herë të parë nëna autorit të vr*sjes së efektivit Enea Mekolli, zbulon DETAJE: Polici nisi të q*llonte i pari, nuk tha dorëzohu. Nuk ka faj djali...

Për herë të parë pas ngjarjes së rëndë në Lozhan, ka folur nëna e Violand Bracellarit, i akuzuar për vrasjen e efektivit Enea Mekolli dhe plagosjen e një polici tjetër. Ajo pretendon se djali i saj reagoi pasi ishte qëlluar fillimisht nga policia dhe se efektivët nuk u identifikuan para ndërhyrjes. Në dëshminë e saj, shprehu keqardhje për humbjen e jetës së efektivit, ndërsa mohoi akuzat për përfshirjen e të birit në aktivitet kriminal.

Për herë të parë pas ngjarjes së rëndë që tronditi vendin, ka folur nëna e Violand Braçellarit, i akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit tjetër Edison Adri.

Berdane Braçellari, e cila thotë se ishte e pranishme në momentin e ndërhyrjes së policisë në fermën e familjes në Lozhan, ka dhënë versionin e saj mbi atë që ndodhi mëngjesin e 4 qershorit.

Sipas saj, djali nuk ka qëlluar i pari ndaj forcave të policisë, por ka reaguar pasi, sipas pretendimit të saj, një efektiv hapi zjarr i pari.

Ajo deklaroi se policët nuk janë identifikuar dhe nuk kanë bërë thirrje për dorëzim para nisjes së shkëmbimit të zjarrit.

Nëna e 55-vjeçarit tregoi se djali i saj prej vitesh jetonte i fshehur dhe rrallë qëndronte në shtëpi, ndërsa sipas saj kishte zgjedhur të strehohej në zona të izoluara. Ajo pretendon se shkaku i arratisjes ishte një dënim që e konsideron të padrejtë për një sasi të vogël kanabisi.

Duke komentuar vrasjen e efektivit Enea Mekolli, Bracellari shprehu keqardhje dhe ngushëllime për familjen e tij.

Ajo mohoi gjithashtu pretendimet për lidhje të të birit me trafikun e lëndëve narkotike apo bashkëpunim me policinë gjatë viteve që qëndroi në arrati.

Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë nga organet kompetente, ndërsa versioni i familjes mbetet vetëm një prej dëshmive që po verifikohen në kuadër të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës policie.