Nis rindërtimi i kopshtit nr 14, Basha: Çdo ditë po përmbushim angazhimet ndaj qytetarëve
Me një investim prej 39 milionë lekësh ka nisur rindërtimi i kopshtit numër 14, në njësinë bashkiake nr.11 në kryeqytet.Kopshti i ri do jetë me 2 kate dhe do u shërbejë 120 fëmijëve, të ndarë në 6 grupe. Në këtë kopsht parashikohet ndërtimi i ambienteve të veçanta të lojës dhe fjetjes, dhomë zhveshje, dhomë mjeku dhe psikologu, kuzhinë, etj.Gjithashtu në këtë kopsht do të instalohet për herë të parë edhe ngrohja qendrore e cila do të jetë me peleta.Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se ky kopsht do t’u vihet në shërbim fëmijëve të Laprakës, brenda 10 muajsh.“Ky është një ndër investimet e planifikuara nga Bashkia e Tiranës, në fushën e kopshteve dhe çerdheve, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të kryeqytetit dhe prindërve të tyre. Kam kënaqësinë ta shoh sot për herë të fundit këtë ndërtesë të vjetër dhe të amortizuar e cila do të prishet, për t’i lënë vend kësaj hapësire të re të cilën Bashkia e Tiranës po investon me buxhetin e vet, për të realizuar kështu një nga objektivat e buxhetit, në raport me njësinë nr.11 dhe banorët e saj e për të avancuar më tej me objektivin e saj madhor, ofrimin e shërbimit të kopshteve dhe çerdheve anembanë qytetit të Tiranës, për të gjithë fëmijët dhe prindërit që kanë nevojë apo dëshirë të përdorin këtë shërbim. Puna nis sot, do të përfundojë brenda 10 muajsh dhe në përfundim ne do të kemi një kopsht të parametrave modernë që do u shërbejë një numri fëmijësh dy herë më të madh se sa ç’u shërben sot apo siç u shërbente deri para pak javësh ky kopsht i amortizuar” theksoi Basha.Basha theksoi se krahas rikonstruksionit të kopshteve dhe shkollave, puna në të gjithë Tiranën vijon edhe me ndërtimin e infrastrukturës e cila çdo ditë po përmirëson jetën e qytetarëve të kryeqytetit.“Investimet tona po vazhdojnë edhe në zona të tjera të qytetit, në kopshte, çerdhe, shkolla e natyrisht në infrastrukturën parësore të qytetit, kanalizime, ujësjellës e rrugë. Kjo është axhenda jonë e transformimit e cila vazhdon dhe do vazhdojë në interes të qytetarit, në interes të qytetit të Tiranës dhe në përputhje me angazhimet e premtimet e mia, si kryetar i Bashkisë së Tiranës” u shpreh ai.