ChatGPT dhe financat personale: revolucion apo rrezik për privatësinë?!
Open AI ka prezantuar një funksion të ri në ChatGPT që u lejon përdoruesve të lidhin llogaritë e tyre bankare dhe financiare me inteligjencën artificiale për të marrë këshilla të personalizuara mbi menaxhimin e parave.
Sipas kompanisë së drejtuar nga Sam Altman, sistemi mund të analizojë shpenzimet, kursimet, investimet dhe objektivat financiare të përdoruesve. Funksioni mbështetet te platforma Plaid, e cila lidhet me mbi 12 mijë institucione financiare në mbarë botën.
Përdoruesit mund të shohin një panel të detajuar me pagesat, pasurinë neto dhe shpenzimet mujore, ndërsa ChatGPT mund të ndihmojë në krijimin e buxheteve, planeve të kursimit dhe analizimin e investimeve personale.
OpenAI thekson se sistemi nuk mund të kryejë transaksione financiare dhe nuk ka akses në numrat e plotë të llogarive bankare. Aktualisht, funksioni është i disponueshëm vetëm për abonentët Pro të ChatGPT, ndërsa më vonë pritet të zgjerohet edhe për përdoruesit Plus.
Kompania synon që në të ardhmen të shtojë mundësi për veprime konkrete financiare përmes partnerëve të besuar, duke e kthyer AI në një asistent më të avancuar për menaxhimin e financave personale.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur shqetësime për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave. Eva Velasquez paralajmëroi se lidhja direkte e llogarive bankare me inteligjencën artificiale mund të krijojë rreziqe të reja sigurie, pasi teknologjia mbetet ende në faza të hershme zhvillimi.
Ekspertët rekomandojnë që përdoruesit të përdorin AI kryesisht si mjet këshillues, duke futur manualisht informacionet financiare dhe duke shmangur lidhjen direkte të llogarive bankare.
