SHAKIRA FITON BETEJËN / Gjykata e Lartë rrëzon akuzat për mashtrim tatimor në Spanjë
Këngëtarja kolumbiane Shakira është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Lartë e Spanjës në çështjen për mashtrim tatimor. Vendimi rrëzoi gjobën prej 55 milionë eurosh të vendosur ndaj artistes në vitin 2021. Autoritetet spanjolle u vlerësuan se nuk arritën të provonin rezidencën e saj tatimore në vend gjatë vitit 2011.
Këngëtarja me famë botërore Shakira ka siguruar një fitore të rëndësishme ligjore në Spanjë, pasi Gjykata e Lartë vendosi ta lirojë nga akuzat për mashtrim tatimor që prej vitesh kishin tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Vendimi i fundit rrëzoi gjobën prej 55 milionë eurosh të vendosur nga autoritetet tatimore spanjolle në vitin 2021 dhe njëkohësisht urdhëroi kthimin e shumave të paguara nga artistja, së bashku me interesat financiare. Shteti spanjoll duhet t’i rikthejë asaj mbi 60 milionë euro, duke përfshirë interesat e krijuara ndër vite.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga Reuters, gjykata arriti në përfundimin se organet tatimore nuk kishin paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Shakira kishte qëndruar mbi 183 ditë në Spanjë gjatë vitit 2011.
Autoritetet spanjolle kishin argumentuar se artistja kishte lidhje personale dhe ekonomike me vendin, kryesisht për shkak të marrëdhënies së saj me ish futbollistin Gerard Pique, i cili në atë periudhë aktivizohej me Barcelonën.
Vetë Shakira reagoi pas vendimit duke deklaruar se shpreson që rasti i saj të shërbejë si precedent për qytetarët që përballen me padrejtësi administrative dhe barrë të rëndë financiare.
Megjithatë, çështjet ligjore të këngëtares në Spanjë nuk janë mbyllur plotësisht. Në vitin 2023, ajo kishte arritur një marrëveshje me prokurorët për një tjetër proces që lidhej me taksat e viteve 2012 deri në 2014.
Në atë rast, Shakira pranoi akuzat dhe pagoi mbi 7 milionë euro gjobë për të shmangur një gjyq publik në Barcelonë.
