Meta: LSI-PS një “trup” në qeveri, do lënë gjurmë në integrimin e vendit

Pasi ka pritur në zyrën e tij 5 Ministrat e kabinetit të ri qeveritar, kreu i LSI Ilir Meta ka deklaruar se qeveria e re do të lërë gjurmë në efikasitetin dhe në arritjen e objektivave integruese të vendit. Meta tha se kabineti prej 19 Ministrash është një ekip i përbashkët me PS dhe nuk janë ekipe të ndara.“Kjo qeveri do jetë një qeveri që do lërë gjurmë të rëndësishme në modernizimin e vendit, do lërë gjurmë në efikasitetin e gjithë objektivave, në mënyrë të veçantë integrimit të vendit. Dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë përfaqësimin e grave në qeveri, është një mesazh i qartë i një politike të re, më humane, një politike integruese. Dita e sotme është ditë pune, jemi takuar me përfaqësues të ndryshëm të LSI. LSI vazhdon angazhimet e saj edhe pse është periudhë e cila ka natyrisht edhe detyrimin për të bërë disa pushime. Por punohet edhe aty ku ka pushime, për të qenë gati në shtator” tha ai.Po ashtu Meta tha se LSI nuk është në kabinetin Rama i përfaqësuar në dikasteret që drejtoi gjatë koalicionit me PD, pasi sipas tij është parë e arsyeshme që të bëhet transparenca e kërkuar nga PS gjatë kohës që ishte opozitë.“Qeveria është konceptuar si një e tërë, pa bërë ndarje sipas përfaqësimit politik të Ministrave të caktuar, ndërkohë që kemi përfaqësues edhe nga shoqëria civile. Lidhur me faktin se LSI nuk ka asnjë Ministër në dikasteret ku është përfaqësuar në vitet e kaluara ka qenë një zgjidhje e drejtë dhe racionale edhe në funksion të transparencës. Ka qenë edhe një zgjedhje imja si kryetar i LSI që të krijojmë transparencë të plotë, ju e dini që PS ka qenë më e ashpër me Ministrat e LSI, sesa vetë Ministrat e PD. E shohim qeverinë si një të tërë dhe e mbështesim si të tillë. Do bëjmë gjithcka për të bashkëpunuar me opozitën në interes të vendit, të interesave kombëtare në mënyrë të veçantë integrimit të vendit. Kryetarit të ri i urojmë edhe një stil të ri, pasi kjo nuk është në të mirë as të vetë PD” deklaroi Meta.Programi qeverisës, i cili pritet të bëhet publik nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama, do të ketë në fokus edhe situatën ekonomike financiare me të cilën është në këtë moment arka e shtetit. Meta tha se do të bëhet trasnparenca e plotë edhe për disa vendime të qeverisë, të cilat janë ndërmarrë pas 23 qershorit në mënyrë jo transparente.“Programi do bëhet publik në kohën e duhur, në radhë të parë nga Kryeministri pastaj edhe nga kabineti qeveritar. Programi i qeverisë së ardhshme do tu japë përgjigje konkrete të gjitha këtyre sfidave. Financat publike kanë degraduar në mënyrë dramatike në funksion të fushatës dhe objektivave elektorale të lidershipit të PD. Por jam i bindur se publikut do ti jepet transparencë e plotë e gjendjes aktuale të financave ashtu sic jam optimist se qeveria do të mund të stabilizojë situatën në vend dhe më pas të cojë përpara objektivat që i ka vënë vetes” theksoi kreu i LSI.Po ashtu Meta ka folur edhe për pretendimin e demokratëve për spastrime të administrates. Ai tha se qeveria e re është e angazhuar në zbatimin e ligjit, ndërsa i kujtoi kreut të ri të PD se shembulli i spastrimeve u tregua nga Bashkia e Tiranës pas prishjes së koalicionit me LSI.“Zoti Berisha ka nevojë për pushime malore, janë edhe më relaksuese, edhe unë vetë bëra disa pushime malore javën e kaluar. Sa i takon spastrimeve që e kam dëgjuar shpesh edhe nga kryetari i ri i PD, që është për të ardhur keq që përdor një gjuhë të vjetër. Nuk ka pasur shembull më të mirë të spastrimeve se PD dhe kryetari i Bashkisë sidomos pas prishjes së koalicionit PD-LSI. Duhet respektuar meritokracia dhe konkurimi, s’bëhet fjalë për spastrime por reforma, për një administratë më të efektshme që do ti përgjigjet ritmit të qeverisë së re. Është për të ardhur keq që përfaqësues të PD që bëjnë komente për kabinetin e ri qeveritar, sikur ajo ka filluar nga puna që në 23 qershor. Shqipëria ka nevojë për një opozitë konstruktive ashtu sic kishte nevojë dhe për një qeveri të re të cilën e votoi me votë plebishiptare. Për një opozitë që vë në plan të parë interesat e vendit dhe konkuron me alternativa me qeverinë” tha Meta.I pyetur nëse do ketë reforma edhe shërbimet sekrete, ai u përgjigj:

"Është një çështje që i takon Kryeministrit të ri për t’u përgjigjur por reforma jam i bindur që të ketë në të gjithë sektorët. Reforma nuk do thotë hiqen disa njerëz dhe të vihen disa të tjerë. Janë reforma strukturore, janë reforma të cilat mbështeten në përmirësimin e legjislacionit. Janë reforma të cilat mbështeten në një motivim të ri, të administratës, kudo, në një frymëzim të ri, sepse ka nevojë për një shkundje të përgjithshme dhe kjo nuk do të thotë kurrsesi spastrim. Përkundrazi do të thotë motivim të të gjithë atyre të cilët e kanë statusin e nëpunësit civil dhe e meritojnë atë".