Fier, pastronte milionat e drogës së të birit, në pranga pensionistja
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka arritur të zbulojë një aktivitet kriminal të pastrimit të produkteve të veprës penale, ndërmjet një shtetasi shqiptar, i dënuar për trafikim droge në Britaninë e Madhe dhe familjarë të tij në Fier duke perfunduar hetimet dhe çuar dosjen për gjykim në gjykatën e Fierit.Nëpërmjet transaksioneve të dyshimta, familjarë të shtetasit Fatos Hamzaraj, i arrestuar në Londër, kanë arritur të krijojnë pasuri të patundshme dhe llogari bankare, në shuma të cilat nuk i justifikojnë me mjete efektive financiare. Në emër të nënës së Fatos Hamzaraj, Teferi Hamzaraj 62 vjeç, me statusin pensioniste, janë regjistruar një pikë karburanti, lokal, palestër dhe apartament, të cilat "de facto" janë në përdorim nga vëllezërit e personit të ndaluar në Angli, përkatësisht Tani dhe Arsen Hamzaraj.Gjithashtu, në emër të nënës së tyre, Teferi Hamzaraj, janë krijuar llogari bankare në tre banka të ndryshme, nëpërmjet të cilave janë qarkulluar shuma në disa qindra mijëra euro, të depozituara nga bashkëpunëtorë të djalit të saj në Angli.Fatos Hamzaraj është arrestuar në janar të vitit 2011 në Angli si drejtuesi i një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Anglisë. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, Hamzaraj prej 3 vitesh kishte krijuar një organizatë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte vetë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij ishin shtetas italianë, anglezë dhe kolumbianë.
Menjëherë pas arrestimit të tij në Angli, me anë të një letër-porosie të mbërritur nga Britania e Madhe, nisi një hetim i përbashkët që kishte si qëllim parësor verifikimin e të gjitha transfertave bankare. Grupi hetimor kaloi në "sitë" të gjitha transaksionet e kryera gjatë 3 viteve që Fatos Hamzaraj zhvillonte aktivitetin e trafikut të drogës dhe rezultoi që paratë niseshin në emër të nënës së tij, Teferi Hamzaraj dhe të vëllait Arsen Hamzaraj.