E TRISHTË/ Shuhet në moshën 57-vjeçare aktorja Nadia Farès
Ka ndërruar jetë dje në moshën 57-vjeçare aktorja dhe modelja franceze me origjinë marokene Nadia Farès, e cila ishte gjetur pa ndjenja në një pishinë në Paris një javë më parë dhe që nga ajo kohë ndodhej në koma.
Lajmi u njoftua nga vajzat e saj, Cylia dhe Shana Chasman.
Farès ka ndërruar jetë në spitalin Pitié-Salpêtrière Hospital, ku ishte shtruar të dielën pasi ishte nxjerrë nga pishina e një klubi privat në Rue Blanche, në zonën e nëntë të kryeqytetit francez.
Aktorja-model do të duhej të xhironte filmin e saj të parë artistik si skenariste dhe regjisore shtatorin e ardhshëm.
“Falë punës së palodhur, introspeksionit dhe vendosmërisë së pastër kam gjetur një ekip fantastik: po punojmë së bashku për një komedi aksioni me Tf1 Studios”, kishte shpjeguar ajo në një intervistë të publikuar në janar, ku kishte zbuluar gjithashtu se në vitin 2007 ishte operuar në tru për shkak të një aneurizmi mjaft të madh: “një bombë me sahat që duhej trajtuar urgjentisht. Dhe brenda katër vitesh kam bërë tre ndërhyrje në zemër”, kishte shtuar aktorja, duke theksuar se notonte katër herë në javë.
E lindur në Marrakech në vitin 1968, Farès u rrit në Nice përpara se të transferohej në Paris për të ndjekur karrierën artistike.
Ajo e nisi karrierën në kinema në vitet ’90, duke punuar me regjisorë të njohur si Claude Lelouch.
Ka marrë pjesë edhe në filmin “Poliziotti” të vitit 1995 të Giulio Base, me Claudio Amendola dhe Kim Rossi Stuart.

