Pas arrestimit për drejtim në gjendje të dehur, Britney Spears përfundon në rehabilitim

Pas arrestimit për drejtim në gjendje të dehur, Britney Spears
Britney Spears është shtruar në një qendër rehabilitimi pas një incidenti me drejtimin e automjetit në gjendje të dehur në Kaliforni.

Përfaqësues të saj bëjnë me dije se ajo ka hyrë vetë në trajtim, duke kërkuar të përmirësojë situatën e saj pas arrestimit. Që nga ajo kohë, ajo ka qëndruar esëll dhe ka marrë pjesë në takime të Alcoholics Anonymous.

Ngjarja ndodhi më 5 mars, kur policia e ndaloi gjatë natës pranë banesës së saj. Sipas raportimeve, makina po lëvizte në mënyrë të çrregullt dhe me shpejtësi. Pas disa orësh, ajo u lirua.

Pas incidentit, nga ana e stafit të saj u tha se bëhej fjalë për një situatë serioze dhe se ajo do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të respektuar ligjin. Gjithashtu, familjarët po e mbështesin gjatë kësaj periudhe.

Spears pritet të dalë para gjykatës më 4 maj. Ndërkohë, raportohet se marrëdhënia me djemtë e saj, Preston dhe Jayden, është përmirësuar kohët e fundit.

Këngëtarja ka kaluar vite të vështira, përfshirë edhe periudhën e gjatë të kujdestarisë që përfundoi në vitin 2021. Ky zhvillim shihet si një përpjekje për të vendosur më shumë stabilitet në jetën e saj.