Moment shqiptar në ‘FTD’: Action Bronson i mëson kryebashkiakut të Nju Jorkut, Mamdani, shprehjen "Të bëftë mirë"

Reperi me origjinë shqiptare Action Bronson ka sjellë një tjetër moment unik në episodin më të fundit të serisë F*ck, That’s Delicious, ku i ftuar ishte kryebashkiaku i New York-ut, Zohran Mamdani. 

Gjatë një momenti në tryezë, Bronson iu drejtua Mamdanit në shqip duke i thënë “të bëftë mirë”. I surprizuar, Mamdani e pyeti menjëherë: “Çfarë do të thotë kjo?”, ndërsa Bronson iu përgjigj se është një shprehje në shqip që përdoret para ose gjatë ushqimit dhe në anglisht përkthehet “enjoy your food”.

Episodi është xhiruar në një restorant jemenas, Jannat Aden, në zonën Sheepshead Bay të Brooklyn-it, ku të dy u takuan për iftar – vakti i mbrëmjes që shënon ndërprerjen e agjërimit gjatë Ramadan-it. Mamdani e nisi vaktin me çaj dhe hurma, përpara se të provonin disa nga gatimet tradicionale jemene si peshk i pjekur në skarë, mish qengji haneeth, salta dhe chicken agda.

Gjatë bisedës, Bronson e pyeti kryebashkiakun për perceptimin e tij ndaj qytetit. “Ndihem mirë për qytetin,” u përgjigj Mamdani. Ndërsa Bronson shtoi: “Si dikush që kam lindur dhe jam rritur në New York, shpresoj vetëm që të bësh punën më të mirë të mundshme. Kjo është ajo që ka rëndësi.”

Mamdani e cilësoi rrugëtimin e tij si të jashtëzakonshëm, duke thënë se “të rritesh në këtë qytet dhe më pas të bëhesh kryebashkiak është si një ëndërr e bërë realitet”.

I lindur në Ugandë në vitin 1991, Mamdani u zhvendos në New York në moshën shtatëvjeçare dhe mori shtetësinë amerikane në vitin 2018. Ai u zgjodh kryebashkiaku i 112-të i qytetit në nëntor, duke marrë mbi 50% të votave, në një proces zgjedhor me pjesëmarrje rekord prej më shumë se dy milionë votuesish.

Mamdani është kryebashkiaku i parë mysliman dhe i lindur në Afrikë i New York-ut, si dhe më i riu që mban këtë post në më shumë se një shekull.