1,206 minj të klonuar në 20 vite, brezi i 58-të vd*s pas lindjes

Një studim në Japoni tregon se klonimi tek gjitarët ka kufij biologjikë. Mutacionet gjenetike grumbullohen dhe bëhen fatale pas disa brezash. Ky studim rrëzon idenë se klonet janë kopje identike të organizmit origjinal dhe se klonimi mund të kryhet pa kufi

Një studim i ri shkencor ka zbuluar kufizimet e klonimit tek gjitarët, duke treguar se procesi nuk mund të vazhdojë pafundësisht pa pasoja. Studiuesit në Japoni kanë klonuar në mënyrë të përsëritur minj laboratorikë për 20 vite, nga 2005 deri në 2025, duke krijuar gjithsej 1,206 klone nga një miushë e vetme donatore.

Sipas rezultateve të publikuara në revistën “Nature Communications”, klonet nuk shfaqën probleme të dukshme gjatë 25 brezave të parë. Megjithatë, me kalimin e kohës, mutacionet gjenetike filluan të grumbullohen dhe të përkeqësohen. Në brezin e 58-të, minjtë e klonuar, edhe pse pa anomali të dukshme fizike, vdiqën brenda pak ditësh nga lindja.

Studimi rrëzon idenë se klonet janë kopje identike të organizmit origjinal dhe se klonimi mund të kryhet pa kufi. Sipas biologut Teruhiko Wakayama, mutacionet tek klonet ndodhin me një ritëm tre herë më të lartë se tek pasardhësit e lindur në mënyrë natyrale. Kjo çon në një degradim të vazhdueshëm të materialit gjenetik, duke e bërë të pamundur mbijetesën e specieve vetëm përmes klonimit.

Eksperimentet treguan gjithashtu se pjelloria e kloneve fillimisht ishte normale, por pas brezit të 20-të filloi të binte ndjeshëm, duke reflektuar ndikimin e mutacioneve të akumuluara. Studiuesit e krahasojnë këtë proces me kopjimin e përsëritur të një imazhi, ku çdo kopje e re humbet cilësi krahasuar me origjinalin.

Klonimi u realizua përmes teknikës së transferimit bërthamor, e njëjta metodë që u përdor për krijimin e deles Dolly në vitin 1996. Megjithatë, rezultatet tregojnë se kjo teknologji ka kufizime të qarta dhe kërkon përmirësime të mëtejshme.

Gjetjet theksojnë rëndësinë e riprodhimit seksual në ruajtjen e stabilitetit gjenetik tek gjitarët dhe sugjerojnë se, me teknologjitë aktuale, klonimi nuk mund të përdoret si një metodë e qëndrueshme për vazhdimësinë e specieve.