“Është shumë më mirë në të 40-at!” Sienna Miller habit me deklaratën për shtatzëninë
Sienna Miller ka ndarë hapur eksperiencën e saj me shtatzëninë në të 40-at, duke sfiduar stereotipet dhe duke e cilësuar këtë periudhë si më të qetë dhe më të balancuar.
Në një intervistë për Glamour, aktorja tregoi se si përvoja e saj si nënë ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Ajo solli në vëmendje faktin se ka lindur fëmijën e parë në moshën 29-vjeçare, ndërsa të dytin në 42 dhe tani, në moshën 44-vjeçare, është në pritje të fëmijës së tretë.
Sipas saj, kjo fazë e jetës është shumë më e lehtë për t’u menaxhuar. Ajo shpjegoi se në të 40-at ndihet më e qetë, më pak e shpërndarë dhe pa presionin për të qenë vazhdimisht aktive në punë.
Madje, ajo theksoi se tani e shijon më shumë rutinën e thjeshtë, si të qëndrojë në shtëpi në mbrëmje me një libër, pa u ndjerë në faj.
Aktorja shtoi se vitet e të 30-ave i duken më kaotike, ndërsa në të 40-at ka arritur një qartësi më të madhe për veten dhe jetën e saj. Sipas Miller, kjo vetëdije e re ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në vendimin për të zgjeruar familjen.
Ajo theksoi gjithashtu se shoqëria shpesh i gjykon gratë për vendimet e tyre lidhur me mëmësinë në moshë më të madhe, ndërsa nuk ndodh e njëjta gjë me burrat, duke ngritur pyetjen pse ekziston një standard i tillë i dyfishtë.
Kujtojmë që Sienna Miller e bëri publik lajmin për shtatzëninë në fund të vitit të kaluar gjatë The Fashion Awards në Royal Albert Hall në Londër, duke surprizuar publikun.
Tashmë, ajo po përjeton këtë kapitull të ri me një qasje më të qetë dhe të vetëdijshme, duke treguar se për të, mosha nuk është pengesë, por një avantazh.
