Alarm për gratë/ Menopauza e hershme rrit rrezikun e zemrës me 40%
Një studim i ri nga Northwestern Medicine tregon se gratë që hyjnë në menopauzë para moshës 40 vjeç kanë rrezik dukshëm më të lartë për probleme me zemrën gjatë jetës së tyre.
Sipas të dhënave, këto gra përballen me rreth 40% më shumë mundësi për të zhvilluar sëmundje koronare të zemrës krahasuar me ato që hyjnë në menopauzë në një moshë më të madhe.
Studimi është publikuar në JAMA Cardiology dhe përfshin analiza mbi më shumë se 10 mijë gra të ndjekura për dekada në SHBA.
Menopauza zakonisht ndodh rreth moshës 51 vjeç, ndërsa rastet para moshës 40 konsiderohen të parakohshme.
Edhe menopauza që ndodh mes moshës 40 dhe 45 vjeç lidhet me rrezik më të lartë për shëndetin e zemrës.
Arsyet pse ndodh menopauza e hershme nuk janë plotësisht të qarta.
Ato lidhen me faktorë të ndryshëm si trashëgimia, mënyra e jetesës, pirja e duhanit, pesha e tepërt dhe stresi.
Edhe kur merren parasysh faktorë të tjerë si tensioni i lartë apo diabeti, rreziku për sëmundje të zemrës mbetet më i lartë tek gratë që kalojnë menopauzë më herët.
Kjo lidhet edhe me uljen e estrogjenit, hormon që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e enëve të gjakut.
Studimi tregon gjithashtu se menopauza e hershme është më e shpeshtë tek gratë me ngjyrë, gjë që lidhet jo vetëm me biologjinë, por edhe me kushte të ndryshme jetese dhe pabarazi në shëndetësi.
Mjekët këshillohen të pyesin më shpesh gratë për moshën kur kanë hyrë në menopauzë, pasi kjo mund të ndihmojë për të kuptuar më herët rrezikun dhe për të parandaluar probleme serioze me zemrën.

