Tragjedi në Turqi! Futbollisti humb jetën teksa përpiqej të pajtonte reperin me të dashurën
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ümraniyen në Stamboll, ku një futbollist i ri ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri. Viktima është 21-vjeçari Kubilay Kaan Kundakci, lojtar i Kars Spor, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej të ndërmjetësonte një konflikt mes një reperi të njohur turk dhe ish-partneres së tij, një këngëtare.
Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 19 marsit. Futbollisti ndodhej në një automjet së bashku me disa persona të tjerë, jashtë një studioje ku ishte i pranishëm reperi. Në atë moment, disa persona të armatosur mbërritën me makina luksoze dhe krijuan një situatë të dyshimtë, duke përdorur dritat e automjeteve për të sinjalizuar praninë e tyre.
Dëshmitarët raportojnë se një prej tyre hapi zjarr drejt makinës ku ndodhej i riu, duke e goditur në gjoks. Ai u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Autoritetet kanë arrestuar reperin, ndërsa një tjetër i dyshuar është ende në arrati dhe po kërkohet nga policia. Ngjarja ka ngritur dyshime dhe diskutime të shumta, pasi në pamjet e publikuara dëgjohet edhe zëri i këngëtares në sfond.
Raportohet se Kundakci kishte marrë përsipër të pajtonte dy ish-partnerët, me të cilët kishte marrëdhënie miqësore, por tentativa për paqe përfundoi tragjikisht.
