"Periudha e fundit nuk u kon më e lehta për mu"/ Gjesti reagon për herë të parë pas daljes nga qelia (FOTO)
Gjesti pasi lirimit të tij, i është drejtuar fansave dhe ndjekësve të tij me një mesazh sqarues lidhur me ngjarjen kaotike të konfliktit me menaxhmentin e tij.
Në reagimin e tij, këngëtari nga Kosova pranon fajin, duke treguar se është i vetëdijshëm për shqetësimin që i ka shkaktuar stafit.
Gjesti gjithashtu ka shpreh keqardhjen e tij për përshkallëzimin e konfliktit deri në arrestimin e tij.
Nga ana tjetër, artisti kosovar ka sqaruar se avokatët e tij nga Britania janë duke shqyrtuar gjithë detyrimet ndaj tij dhe se do të merren masa ligjore në vijim për çdo gjë që i takon këtij të fundit.
“Periudha e fundit nuk ka qenë më e lehta për mua, edhe po e ndiej të nevojshme me adresu çka ka ndodh.

Fillimisht po du me pranu që kom bo gabim edhe kërkoj falje për shqetësimin që e kom shkaktu te stafi. M’vjen shumë keq edhe jam shumë pishmon. Unë nuk jam njeri i tillë edhe veç një torturë e madhe që nuk u nal kurr ka mujt me m’pru në atë gjendje.
Faleminderit prej zemrës për krejt mesazhet dhe mbështetjen, m’keni jep forcë në momente të vështira. Një falënderim i veçantë shkon për avokatët e mi, Burimi Azemin dhe Artan Serkinin, për profesionalizmin edhe përkrahjen e vazhdueshme.
Në bashkëpunim me labele, menaxhmentin edhe avokatët tonë në Britani, kemi nis procedura ndaj kompanisë Onima për krejt keqtrajtimet ndër vite, borxhet (tu e përfshi edhe borxhin aktual), mundësitë e humbuna dhe dëmet e shkaktume. Ka shumë sene që hala nuk i dini, po që keni me i kuptu shumë shpejt.
Muzikën s’mundet me ma nal kërkush, sidomos jo njerëzit edhe kompanitë që e kanë për qëllim me i shkatërru artistat edhe me njollos industrinë e muzikës.
Gjatë kësaj kohe që jemi në gjyq, nëse koft nevoja, edhe veç në TikTok e Instagram kom me i postu kangët e mia, e pa muzikë s’ju lo. Ju du shumë! Drejtësia ka me fitu, si gjithmonë”, ka shkruar Gjesti në reagimin e tij në Instagram.

Gjykata Themelore në Prishtinë nxori sot aktvendimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj këngëtarit, një javë pasi u ndalua dhe do të hetohet në gjendje të lirë.
Gjesti u arrestua një javë më parë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Avokatët e tij, janë shprehur se në bazë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili përcakton parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, paraburgimi s’ka qenë masë proporcionale.


