Jaupbashi: Ankthi financiar po rëndon shëndetin mendor të shqiptarëve
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Ora News, psikologia Sonila Jaupbashi ngriti alarmin për ndikimin në rritje të ankthit financiar tek qytetarët shqiptarë, duke e cilësuar atë si një problem serioz që prek drejtpërdrejt mirëqenien mendore.
"Në një realitet ku shumë njerëz punojnë pa ndërprerje, por sërish ndihen të pasigurt për të ardhurat, po krijohet një gjendje e vazhdueshme stresi dhe pasigurie. Kjo ndjesi shoqërohet me frikë për të ardhmen, vështirësi për t’u relaksuar, pagjumësi dhe një tension të përhershëm që lidhet me humbjen e ndjesisë së kontrollit mbi jetën financiare."
“Është një situatë jo vetëm lokale, por globale, që po ushqen këtë ankth të vazhdueshëm,” theksoi psikologia.
Gjatë intervistës u vu në dukje edhe një fenomen i përhapur në shoqëri: ndonëse shumë shqiptarë punojnë fort, ata shpesh ndihen sikur “nuk po ia dalin dot”.
Kjo ndjesi e mungesës së progresit ekonomik ndikon drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe psikologjike.
Jaupbashi shpjegoi se ankthi financiar manifestohet në disa forma të dukshme në sjelljen e përditshme:
Shmangia, ku individët i ikin përballjes me faturat apo borxhet, duke e përkeqësuar situatën në afatgjatë.
Kontrolli i tepruar, një sjellje obsesive për të verifikuar vazhdimisht paratë, si një mënyrë për të krijuar ndjesi sigurie.Kursimi ekstrem, që shkon deri në privim emocional dhe heqje dorë nga nevojat bazike apo kënaqësitë e vogla.
Shpenzimet impulsive dhe mbivlerësimi i rrezikut, dy ekstreme që tregojnë një marrëdhënie të paqëndrueshme me financat.
Ekspertja thekson se këto sjellje janë tregues të qartë se presioni financiar nuk është më vetëm një çështje ekonomike, por një problem i mirëfilltë i shëndetit publik, që kërkon vëmendje dhe ndërgjegjësim më të madh.
Në fund, ajo apeloi për më shumë kujdes ndaj shëndetit mendor dhe përballje të ndërgjegjshme me sfidat financiare, në mënyrë që ankthi të mos kthehet në një barrë të përditshme për individët dhe familjet.
Ndiqni intervistën e plotë:
