KHARG, “ZEMRA” E ENERGJISË IRANIANE/ Ishulli përpunon rreth 90% të eksporteve të naftës së vendit

Kharg, një ishull i vogël në Gjirin Persik, është nyja kryesore e eksporteve të naftës së Iranit. Së fundmi SHBA ka goditur objektiva ushtarake në këtë zonë, pa prekur infrastrukturën e naftës. Analistët paralajmërojnë se çdo sulm ndaj terminaleve të naftës mund të përshkallëzojë luftën dhe të ndikojë çmimet globale të energjisë.

Ndër objektivat strategjikë të luftës së fundit në Lindjen e Mesme, një nga pikat më të ndjeshme është ishulli Kharg, ishulli i vogël që konsiderohet zemra e eksporteve të naftës së Iranit.

I vendosur rreth 25 kilometra nga bregu iranian në Gjirin Persik, ky ishull koralor përpunon rreth 90 për qind të naftës bruto që eksporton Irani, duke e kthyer atë në një pikë kyçe për ekonominë e vendit.

Miliona fuçi naftë që dalin çdo ditë nga fushat e mëdha dhe transportohen përmes tubacioneve drejt ishullit Kharg, ku ngarkohen në supertankera për tregjet ndërkombëtare. Për shkak të rëndësisë strategjike dhe kontrollit të rreptë ushtarak, ishulli njihet edhe si “ishulli i ndaluar”.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë kryer një seri goditjesh ajrore ndaj objektivave ushtarake në ishull, përfshirë depo detare dhe bunkerë raketash. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe mediave iraniane, infrastruktura e naftës nuk është goditur.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se terminalet e naftës mund të bëhen objektiva, nëse Irani vazhdon të pengojë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

Analistët paralajmërojnë se një sulm ndaj ishullit Kharg mund të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike. Irani furnizon rreth 4.5 për qind të naftës globale, dhe çdo ndërprerje e eksporteve do të ndikonte drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare.

Ekspertët thonë gjithashtu se nëse infrastruktura e naftës do të shkatërrohej, Iranit mund t’i duheshin muaj ose edhe më shumë se një vit për ta rindërtuar, ndërsa pasojat do të ndiheshin veçanërisht nga vendet që importojnë naftë iraniane.

Ndërkohë, tensionet në rajon vazhdojnë të rriten, ndërsa SHBA ka njoftuar dërgimin e një force të shpejtë reagimi me rreth 2500 marinsa në Gjirin Persik.