“LOJA” QË MPOSHT PAGJUMËSINË/ Zgjidh një fjalë të rastësishme, mendo objekte që nisin me shkronjë e parë të saj

Teknika e njohur si përzierja e mendimeve është një metodë e thjeshtë që mund të ndihmojë njerëzit të bien në gjumë më shpejt. Ajo funksionon duke shpërqendruar trurin nga mendimet stresuese. Por si mund të vihet në praktikë? Ndiqni kronikën.

Një teknikë e thjeshtë, e quajtur “cognitive shuffling”, po bëhet gjithnjë e më popullore në rrjetet sociale dhe sipas studiuesve mund të ndihmojë njerëzit që kanë vështirësi të bien në gjumë.

Kjo metodë konsiston në zgjedhjen e një fjale të rastësishme dhe neutrale, për shembull “tortë”.

Personi merr shkronjën e parë të fjalës dhe përpiqet të mendojë sa më shumë objekte që fillojnë me atë shkronjë si përshembull, tellefon, tavolinë, top e të tjerë duke i imagjinuar ato në mendje.

Kur nuk mund të gjejë më fjalë, kalon te shkronja tjetër e fjalës.

Teknika është zhvilluar më shumë se 15 vjet më parë nga profesori kanadez Luc Beaudoin dhe bazohet në teorinë se njerëzit me pagjumësi shpesh mbajnë mendjen aktive me mendime shqetësuese, si planifikimi apo shqetësimi për problemet e përditshme.

Sipas tij, duke e mbushur mendjen me imazhe të rastësishme dhe neutrale, truri merr një sinjal se është në një gjendje të sigurt për të fjetur.

Ekspertët e gjumit shpjegojnë se kjo teknikë funksionon sepse e shpërqendron vëmendjen nga mendimet që pengojnë gjumin dhe imiton mënyrën se si truri fillon të prodhojë mendime të çrregullta dhe të shkëputura në momentin kur kalojmë nga zgjimi në gjumë.

Këto imazhe të shkurtra mendore quhen edhe “mikro-ëndrra”.

Megjithatë, specialistët theksojnë se metoda nuk funksionon për të gjithë.

Disa njerëz preferojnë teknika të tjera si meditimi, ose shkrimi i listave të detyrave para gjumit për të larguar shqetësimet.

Studiuesit thonë gjithashtu se strategjitë e gjumit funksionojnë më mirë kur praktikohen rregullisht, pasi truri mund të stërvitet me kalimin e kohës.