Charli XCX heq dorë nga muzika?

Këngëtarja britanike Charli XCX ka habitur fansat me deklaratën e saj të fundit, duke zbuluar se mund të largohet nga muzika për t’u fokusuar në karrierën si aktore.

Gjatë një paraqitjeje në serinë në YouTube “Feeding Starving Celebrities” të Quen Blackwell më 22 shkurt, artistja u pyet nëse dëshiron të merret më shumë me aktrim. “Dua të lë muzikën dhe të aktroj,” u përgjigj ajo.

Deklarata e saj vjen pavarësisht suksesit të madh që pati me albumin Brat, i cili fitoi çmimin për Albumin më të mirë Dance/Electronic në Grammy Awards në vitin 2025.

Kur Blackwell i përmendi suksesin e albumit, Charli reagoi me ironi:
“Çfarë tjetër mbetet për të bërë?”

Këngëtarja tregoi se një nga projektet që do të donte të realizonte është një film në stilin e sagës horror Final Destination, por me një kast të përbërë nga vajza shumë të famshme të kulturës pop. Ajo madje kishte bërë një video në TikTok ku përmendte si pjesë të mundshme të kastit emra si Rachel Sennott, Alex Consani, Gabbriette dhe Romy Mars.

“Do të ishte si një ‘Final Destination’ i vajzave ‘it-girl’. Do të vraponim të gjitha duke u dukur shumë ‘hot’, por duke vdekur në mënyrat më të çmendura,” tha ajo me humor.

Së fundmi, Charli XCX luajti një version fiktiv të vetes në filmin The Moment, i publikuar në janar. Në film marrin pjesë edhe emra të njohur si Kylie Jenner, Kate Berlant, Alexander Skarsgård, Rosanna Arquette dhe Jamie Demetriou.

Historia ndjek një version imagjinar të këngëtares teksa përballet me presionin e industrisë së muzikës dhe përgatitet për një turne të madh.

Charli ka shpjeguar më parë se ideja për filmin lindi nga presioni i kompanisë diskografike për të realizuar një dokumentar për albumin “Brat” dhe turneun e saj.

“Është fiction, por është përshkrimi më realist i industrisë së muzikës që kam parë ndonjëherë,” tha ajo.