Harry Styles 'thyen' heshtjen për vdekjen e Liam Payne
Harry Styles ka folur për herë të parë hapur për humbjen e ish-shokut të grupit Liam Payne, duke e cilësuar vdekjen e tij si një periudhë shumë të vështirë emocionale.
Në një intervistë të sinqertë për Apple Music, këngëtari pranoi se edhe ideja për të folur publikisht për këtë temë i shkakton ende vështirësi.
“Dua të jem plotësisht i sinqertë. Edhe vetëm ideja për të folur për këtë është diçka me të cilën ende e kam të vështirë të përballem,” u shpreh ai.
Styles shtoi se një nga gjërat më të çuditshme për të ishte fakti që shumë njerëz ndiheshin pjesë e dhimbjes së tij.
“Pati një periudhë pas vdekjes së tij kur e kisha shumë të vështirë të pranoja sa e çuditshme është që njerëzit të bëhen pjesë e pikëllimit tënd,” tha artisti.
Këngëtari 32-vjeçar theksoi se humbja e një miku është gjithmonë e dhimbshme, por edhe më e vështirë kur bëhet fjalë për një person me të cilin ndan kaq shumë kujtime.
“Është shumë e vështirë të humbasësh një mik. Ai kishte një zemër jashtëzakonisht të mirë dhe thjesht donte të ishte i shkëlqyer në atë që bënte,” shtoi Styles.
Ai gjithashtu tha se kjo tragjedi e bëri të reflektojë më shumë për jetën e tij dhe mënyrën se si dëshiron ta jetojë atë.
“Sipas meje, mënyra më e mirë për të nderuar miqtë që nuk janë më është të jetosh jetën tënde në maksimum,” u shpreh ai.
One Direction humbi një nga anëtarët e saj në tetor të vitit 2024, kur Payne ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires të Argjentinës. Sipas autoriteteve, këngëtari pësoi trauma të shumta, përfshirë frakturë të kafkës dhe hemorragji të brendshme dhe të jashtme.

