FORMULA 1: DY PROJEKTE, NJË AMBICIE! Dy gjigantët “Audi” e “Cadillac”, në pistë me objektiv titullin

Sezoni 2026 i Formula 1 do të sjellë dy skuadra të reja, të mbështetura nga Audi dhe Cadillac. Të dy projektet synojnë titullin kampion, por rrugëtimi i tyre është thellësisht i ndryshëm drejt podiumit.

Sezoni 2026 i Formula 1 shënon hyrjen e dy emrave të mëdhenj të industrisë automobilistike: Audi dhe Cadillac.

Të dyja kompanitë janë joshur nga rregullat e reja të motorëve, ku pesha e komponentit hibrid është rritur ndjeshëm, një element me rëndësi strategjike për marketingun dhe teknologjinë e makinave të tyre rrugore.

Audi ka zgjedhur të marrë nën kontroll skuadrën Sauber, duke e përdorur atë si bazë për projektin e saj zyrtar.

Ky është debutimi i parë i drejtpërdrejtë i grupit në nivelin më të lartë të sportit. Objektivi është i qartë: brenda pesë vitesh të jenë në pozicion për të luftuar për titullin kampion.

Në anën tjetër, projekti Cadillac, i mbështetur nga gjiganti amerikan General Motors dhe grupi sportiv TWG, ka pasur një rrugëtim më të ndërlikuar politikisht.

Fillimisht i nisur si iniciativë e Andretti-t, aplikimi u refuzua nga drejtuesit e Formula 1 në vitin 2024, pavarësisht miratimit nga FIA. Vetëm pas ristrukturimit të projektit dhe theksimit të rolit të Cadillac si markë zyrtare, hyrja u konfirmua.

Ndryshe nga Audi, Cadillac po ndërton gjithçka nga zero: strukturën teknike, fabrikat dhe kulturën organizative.

Objektivat janë ambiciozë, por realistë. Drejtuesit e projektit e kanë pranuar hapur se viti i parë mund të përfundojë në fund të renditjes.

Për ta, kjo është pjesë e planit afatgjatë: ndërtim i qëndrueshëm, investim në infrastrukturë dhe krijim i një kulture konkurruese.

Në përfundim, Audi dhe Cadillac ndajnë të njëjtën ëndërr,  titullin botëror në Formula 1,  por filozofia dhe pika e nisjes i ndajnë qartë. Se cila strategji do të rezultojë më efikase, do ta tregojë pista duke nisur nga Melbourne 2026.