“ZHDUKEN” DISA DOSJE EPSTEIN/ Mbi 90 intervista të FBI-së nuk gjenden në publikimin zyrtar
Dhjetëra intervista të FBI-së nga hetimi për Jeffrey Epstein duket se mungojnë në dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Sipas një analize mediatike, mbi një e katërta e intervistave të listuara në regjistrat e provave nuk janë të aksesueshme online. Mes dokumenteve të munguar përfshihen edhe intervista që lidhen me një grua e cila ka akuzuar Donald Trump për sulm seksual.
Debati mbi transparencën e dosjeve të Jeffrey Epstein është rindezur në Shtetet e Bashkuara, pasi një analizë e re ka zbuluar se dhjetëra intervista të FBI-së duket se mungojnë nga publikimi masiv i dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë.
Sipas verifikimeve, nga rreth 325 intervista të regjistruara në një listë provash që iu dorëzua avokatëve të Ghislaine Maxwell, më shumë se 90 nuk rezultojnë të jenë të disponueshme në faqen zyrtare të Departamentit.
Mes dokumenteve të munguar përfshihen tre intervista që lidhen me një grua e cila ka deklaruar se ishte abuzuar nga Epstein që në moshën 13-vjeçare dhe që ka akuzuar gjithashtu Donald Trump për sulm seksual në vitet ‘80.
Trump i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, ndërsa Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar pretendimet si “të rreme dhe sensacionaliste”.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë ka deklaruar se asnjë dokument nuk është fshirë dhe se materialet e papublikuara janë ose dublikatë, të mbrojtura ligjërisht, ose pjesë e hetimeve në vijim.
Ekspertë të ish-FBI-së theksojnë se raportet e njohura si “302”, që dokumentojnë intervistat me dëshmitarë, janë elementë kyç për të kuptuar hetimin shumëvjeçar ndaj Epstein dhe Maxwell. Mungesa e tyre, thonë ata, mund të lërë boshllëqe të rëndësishme në pasqyrimin e plotë të çështjes.
Ndërkohë, disa viktima të Epstein kanë deklaruar se nuk kanë gjetur në publikim dëshmitë e tyre, duke akuzuar autoritetet për mungesë transparence. Debati pritet të thellohet ndërsa presioni për publikim të plotë të dokumenteve vazhdon.
