Kush është njeriu më i pasur në Itali, që nuk njihet nga publiku?
Andrea Pignataro është aktualisht njeriu më i pasur në Itali, por një nga figurat më pak të njohura për publikun e gjerë. Sipas renditjes në kohë reale të Forbes, pasuria e tij ka arritur në 42.8 miliardë dollarë, duke lënë pas për herë të parë pas më shumë se katër vitesh Giovanni Ferrero, trashëgimtarin e perandorisë Ferrero.
I lindur në Bolonjë në vitin 1970 dhe me rezidencë në St. Moritz, Pignataro është themeluesi i ION Group, një nga kompanitë më të mëdha globale në fushën e softuerëve financiarë. Ai ka studiuar ekonomi në Bolonjë dhe ka përfunduar doktoraturën për matematikë në Imperial College London. Karrierën e nisi si broker në Salomon Brothers, përpara se në vitin 1999 të krijonte kompaninë e tij.
Sot, platformat e ION përdoren nga banka qendrore, institucione financiare dhe korporata të mëdha në mbarë botën. Kompania ka realizuar dhjetëra blerje strategjike, mes tyre Dealogic dhe Fidessa, duke ndërtuar një perandori financiare që operon kryesisht larg vëmendjes publike. Për këtë arsye, Pignataro është quajtur shpesh “Bloomberg-u italian”, në krahasim me Michael Bloomberg.
Edhe pse jeton jashtë Italisë, ai ka investuar miliarda euro në ekonominë italiane në vitet e fundit, përmes blerjes së kompanive si Cerved, Cedacri dhe Prelios. Emri i tij u përfshi gjithashtu në një hetim fiskal në Itali, i cili u mbyll në vitin 2025 pas një marrëveshjeje me autoritetet tatimore dhe arkivimit të çështjes nga gjykata.

