Nga kavilja e thyer në inv*liditet, mjeku serb op*ron keq 65-vjeçaren

Historia e zonjës nga Shkodra, Miriana Karini, e ka zanafillën në vitin 2019, kur ajo kishte dalë në qytet për të pirë një kafe me familjarët e saj. Në lokal rrëzohet dhe thyen kaviljen, por nuk kishte besim të plotë në spital shtetëror dhe kërkoi ndihmë që të operohej në një spital privat. Shoku i djalit të saj, Saimir Suma, i dërgon nga Tirana ambulancën e Spitalit Gjerman, por zonja, kur mbërrin në kryeqytet, e gjen veten në një tjetër ambient, në Poliklinikën Mjekësore Gjermane.

E vetmja gjë e përbashkët mes tyre është fjala gjerman.

Administratori i Poliklinikës Mjekësore Gjermane ishte z. Ardian Kazaferi dhe mjeku serb Gordan Gavrillovic, i njëjti mjek që kreu edhe operacionin e zonjës Karini. Pasi mbaroi ndërhyrja, asaj iu tha se operacioni kishte dalë me sukses, por fatkeqësisht do të ishte krejt e kundërta. Dhimbjet në këmbën e saj ishin të tmerrshme dhe 24 orë e mbante me akull. Fizioterapia kryhej, por dhimbjet e saj ishin të padurueshme. U bënë disa grafi, disa kontrolle, por zonjës Karini iu tha se nuk kishte asgjë dhe se gjithçka do të kalonte.

59-vjeçarja asokohe pinte edhe ilaçe të rekomanduara nga mjekët për uljen e dhimbjeve, por asnjë përmirësim. Me këmbënguljen e familjes u bë një rezonancë, por përgjigjet e saj nuk u dhanë asnjëherë, prej frikës së stafit se do të zbulohej gjithçka e gabuar që ishte bërë gjatë operacionit.

“500 euro më bëri ambulanca, 5000 euro te Poliklinika, 5500 euro kemi paguar për këtë hata”, shprehet zonja Karini, pa e ditur që hataja e vërtetë do të vinte më pas.

Sërish me këmbënguljen e familjarëve, ajo shkoi në Spitalin e Shkodrës dhe bëri grafi, atje ku u vunë re 23 kocka të thyera në shpinën e këmbës së saj, të cilat kishin filluar të ngjiteshin vetë.

“Merre me mend se çfarë hataje ka qenë. Unë bëja fizioterapi me këmbë të thyer. Ma kapnin këmbën, ma shtrëngonin për të bërë lëvizje. Unë bërtisja. Fizioterapisti më thoshte: ‘Janë duke të shërbyer 2 burra këtu me gjithë këtë lezet dhe ti bërtet’! I thosha: ‘Po më dhemb, more, më del prej shpirti’!”

Pas këtij konstatimi, ata menjëherë u nisën për në Turqi. Atje mjeku u trondit nga ajo që pa.

“Çfarë paskan bërë, moj, i kanë vënë protezë më të madhe, prandaj ka këto siklete mami”, i ishte drejtuar ai vajzës së Mirianës.

Për ta sqaruar, mjeku serb që kishte bërë ndërhyrjen kishte përshtatur në këmbën e majtë të Mirianës një protezë më të madhe se ajo që duhej, më të gjatë dhe më të trashë, duke i shkaktuar asaj dëmtime të pariparueshme, siç ishte hollimi i kockës, zhvendosja e kupës së gjurit dhe këputja e nervit shiatik, duke e lënë 65-vjeçaren invalide për gjithë jetën.

Trajtimi i saj vijoi në Turqi dhe më pas në Shqipëri, duke u përmirësuar dita-ditës. Thuhet gjithmonë, shëndeti mbi të gjitha, por në rastin e Mirianës, dëmet shëndetësore kanë ecur paralel edhe me shpenzimet marramendëse.

“U krijua edhe një gropë e madhe financiare. Dëmtova komplet familjen. U mblodh një siklet i madh. Mbasi u ktheva nga Turqia deri tani unë nuk kam përfituar asgjë, vetëm humbje të njëpasnjëshme. Duke pasur parasysh gjithë këto gjëra, gjithë këtë dëm, mora vendimin me i hedh në gjyq për gjymtimin që më kanë bërë. Kjo është historia ime.”, shprehet ajo për gazetarin e emisionit investigativ “Piranjat”, Freard Rista./piranjat/