SHAH/ Magnus Carlsen, sërish dominant! Më i miri i botës fiton finalen ndaj Alireza Firouzja! Surprizë në vendin e tretë
Magnus Carlsen fitoi për herë të pestë Kampionatin Botëror të Shahut të Shpejtë. Norvegjezi mposhti Alireza Firuzën me rezultatin 15–12 në finale. Ndërkohë, talenti i ri Denis Lazavik shkaktoi surprizë duke mundur Hikaru Nakamurën për vendin e tretë.
Numri një i botës, Magnus Carlsen ka konfirmuar edhe një herë dominimin e tij në shah, duke mbrojtur titullin në Kampionatin Botëror të Shahut të Shpejtë pas fitores 15–12 ndaj Alireza Firouzja në finalen e turneut.
Ky është titulli i pestë për Carlsen në këtë kompeticion dhe i treti radhazi, një tjetër dëshmi e qëndrueshmërisë së tij në elitën botërore të shahut.
Finalja u karakterizua nga një përballje më e ekuilibruar se edicionet e mëparshme, me Firouzjan që arriti të rivalizojë fort në disa segmente dhe të krijojë momente presioni ndaj kampionit.
Megjithatë, përvoja dhe qetësia e Carlsen në fazat vendimtare bënë diferencën, duke i mundësuar norvegjezit të krijojë avantazhin kryesor në pjesën e parë të përballjes dhe ta administrojë atë me sukses deri në fund të ndeshjes.
Në segmentet blitz, kampioni arriti të kontrollojë ritmin e lojës dhe të shmangë rikthimin e kundërshtarit, duke vulosur fitoren përfundimtare.
Në ndeshjen për vendin e tretë u regjistrua surpriza e turneut, ku 19-vjeçari Denis Lazavik mposhti një nga specialistët më të fortë të shahut të shpejtë, Hikaru Nakamura, me rezultatin 13.5–12.5.
Lazavik krijoi diferencën vendimtare në segmentin e mesëm të përballjes dhe arriti ta ruajë avantazhin edhe në minutat e fundit, duke siguruar një fitore historike në karrierën e tij dhe duke konfirmuar potencialin e brezit të ri në skenën ndërkombëtare.
Me këtë rezultat, tre të parët, Carlsen, Firouzja dhe Lazavik, siguruan gjithashtu kualifikimin për Kupën Botërore Esports 2026, duke e bërë turneun jo vetëm një betejë prestigji, por edhe një etapë të rëndësishme drejt kompeticioneve të mëdha ndërkombëtare.

