SHKRIMI I DORËS DREJT ZHDUKJES/ Pajisjet digjitale zëvendësojnë shkrimin në shkolla, dobësohen aftësitë

Shkrimi me dorë po humbet për shkak të përdorimit të gjerë të pajisjeve digjitale në arsimin fillor. Mungesa e ushtrimeve praktike po dëmton aftësitë motorike të fëmijëve, thonë mësues dhe ekspertë. UNESCO ka nisur një projekt ndërkombëtar për të mbrojtur dhe promovuar mësimin, dhe praktikat e shkrimit me dorë

Me pajisjet teknologjike që po zënë gjithmonë e me shumë hapësirë në jetën e përditshme shkrimi i dorës po përdoret gjithmonë e më e më pak.

Sfida që gishtat mbi tastierë ose ekranët inteligjente po i bëjnë të shkruarit në letër, po ndjehen edhe në arsimin fillor, ku shkrimi i dorës mbetet praktikë e detyrueshme në rrugën e të nxënit.

Elida Gjoka, mësuese e arsimit fillor pranë shkollës Vasil Shanto në Tiranë, thotë se dy janë shkaqet kryesore që po rrezikojnë shkrimin e dorës.

Shkrimi i dorës kërkon durim, përqëndrim dhe praktikë të vazhdueshme, elemente që po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga pajisjet e zgjuara teknologjike.

Ajo thekson gjithashtu se mungesa e ushtrimeve praktike ndikon jo vetëm në cilësin e shkrimit, por edhe në zhvillimin e aftësive motorike të fëmijëve.

Fenomeni është global ndaj edhe reagimi për të mbrojtur shkrimin e dorës, po kërkohet të jetë i tillë.

UNESCO ka prezantuar një projekt ndërkombëtar për mbrojtjen e shkrimit të dorës, i cili po konsiderohet gjithnjë e më i rrezikuar nga dominimi i teknologjisë digjitale dhe përdorimi masiv i tastierave dhe ekraneve me prekje.