Xhirimet e filmit "Loja e Fundit"/ Kiara Tito flet për përfshirjen e vajzës së saj në film

Filmi më i ri “Loja e Fundit” pritet të mbërrijë së shpejti në të gjitha kinematë e vendit dhe sjell për herë të parë në ekran të madh çiftin Luiz Ejlli dhe Kiara Tito si protagonistë kryesorë.

E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Kiara ndau disa detaje nga prapaskenat e filmit, duke treguar se eksperienca e xhirimeve ishte shumë më e lehtë nga sa e kishte imagjinuar.

Moderatorja u shpreh se puna përkrah bashkëshortit të saj nuk paraqiti asnjë vështirësi, përkundrazi, e ndihmoi të ndihej më e qetë gjatë aktrimit.

Një nga elementët më të veçantë të filmit është përfshirja e vajzës së çiftit, Luna Mari.

Kiara tregoi se dëshira e tyre ishte që e vogla, kur të rritet, të ketë një kujtim të bukur dhe të përjetshëm nga kjo eksperiencë artistike.

Sipas saj, “Loja e Fundit” është një film familjar, i përshtatshëm për çdo grupmoshë.

Ajo gjithashtu foli me humor për rolin e saj, duke treguar se fillimisht nuk do ta kishte zgjedhur veten si protagoniste, por i pëlqeu ideja e një Kiara ndryshe në ekran, duke shpresuar që personazhi të mos i mbetet si etiketë në të ardhmen.

Për bashkëpunimin me çiftin foli edhe regjisori i filmit, Bjordi Mezini, i cili u shpreh shumë i kënaqur me performancën e Kiarës.

Ai theksoi se, pavarësisht se ishte hera e saj e parë në aktrim, ajo tregoi përkushtim, ndjeshmëri dhe një qasje serioze ndaj rolit, duke u shfaqur perfeksioniste kur situata e kërkonte.

Sipas Mezin-it, puna me Luiz Ejllin dhe Kiara Titon ishte e lehtë dhe harmonike, ndërsa ai u shpreh i bindur se interpretimi i Kiarës do të vlerësohet pozitivisht nga publiku.