Vendi më i prekur në botë nga ky fenomen, pickimet nga gjarpërinjtë në Indi shkaktojnë mijëra v*ktima çdo vit

India vazhdon të përballet me një krizë të rëndë shëndetësore publike, pasi pickimet nga gjarpërinjtë po shkaktojnë mijëra viktima çdo vit, duke e renditur vendin si më të prekurin në botë nga ky fenomen vdekjeprurës.

Historia e Devendrës, një ish-fermer indian, ilustron rrezikun e përditshëm me të cilin përballen banorët ruralë. Ai kujton momentin kur një gjarpër e pickoi në këmbë ndërsa po mblidhte gjethe manaferrash. Devendra u paraqit në spital katër ditë pas pickimit, vetëm pasi dhimbjet u bënë të padurueshme. Megjithatë, vonesa i kushtoi shtrenjtë, duke i detyruar mjekët t’i amputonin këmbën. Rasti i tij u publikua në një film të shkurtër nga Global Snakebite Taskforce (GST), një iniciativë që synon uljen e vdekjeve dhe dëmtimeve nga pickimet e gjarpërinjve.

Sipas qeverisë federale indiane, rreth 50 mijë persona humbin jetën çdo vit nga pickimet e gjarpërinjve, çka përbën afro gjysmën e vdekjeve globale. Megjithatë, studime të tjera sugjerojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë. Një analizë e vitit 2020 vlerëson se midis viteve 2000 dhe 2019, në Indi mund të kenë ndodhur deri në 1.2 milionë vdekje, mesatarisht 58 mijë viktima në vit.

Një raport i ri i GST ka zbuluar se 99% e punonjësve shëndetësorë në Indi përballen me vështirësi në administrimin e antidotit kundër helmit, i njohur si antivenom. Studimi përfshiu 904 profesionistë mjekësorë në Indi, Brazil, Indonezi dhe Nigeri, vendet më të prekura nga pickimet dhe identifikoi pengesa të ngjashme si infrastruktura e dobët, mungesa e antidotit dhe trajnimet e pamjaftueshme.

Gati gjysma e mjekëve të intervistuar raportuan se vonesat në trajtim kishin shkaktuar komplikacione të rënda te pacientët, përfshirë amputime, ndërhyrje kirurgjikale apo probleme të përhershme në lëvizje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar që në vitin 2017 helmimin nga pickimet e gjarpërinjve si një nga sëmundjet tropikale të neglizhuara me prioritet të lartë. Sipas OBSH-së, rreth 5.4 milionë persona pickohen çdo vit në botë dhe më shumë se 100 mijë prej tyre humbin jetën. Kjo problematikë prek në mënyrë disproporcionale komunitetet e varfra rurale në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Në Indi, rastet janë veçanërisht të përqendruara në rajonet qendrore dhe lindore. Sipas mjekut Yogesh Jain, anëtar i GST dhe praktikues në shtetin Chhattisgarh, më të rrezikuarit janë punëtorët e bujqësisë dhe komunitetet fisnore të varfra.

Në vitin 2024, India prezantoi Planin Kombëtar për Parandalimin dhe Kontrollin e Helmimit nga Pickimet e Gjarpërinjve (NAPSE), me objektiv përgjysmimin e vdekjeve deri në vitin 2030. Plani parashikon përmirësimin e monitorimit, rritjen e disponueshmërisë së antidotit, fuqizimin e kapaciteteve mjekësore dhe fushata ndërgjegjësuese. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se zbatimi i tij mbetet i pabarabartë.

Një problem i madh mbetet qasja e kufizuar në shërbime shëndetësore në zonat rurale, ku infrastruktura e dobët rrugore dhe mungesa e ambulancave shpesh vonojnë trajtimin. Raste tragjike vazhdojnë të raportohen, si ai i një gruaje shtatzënë në Gujarat, e cila humbi jetën gjatë transportit drejt spitalit pasi familjarët u detyruan ta transportonin për pesë kilometra në mungesë të mjeteve.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se shumë punonjës shëndetësorë nuk janë të trajnuar për administrimin e antidotit, i cili mund të shkaktojë reaksione anësore serioze. Një tjetër sfidë mbetet besimi i popullsisë rurale tek shëruesit tradicionalë, gjë që shpesh vonon trajtimin spitalor.

Një problem shtesë është mungesa e antidoteve specifike për shumë specie gjarpërinjsh. Aktualisht, antidoti në Indi mbulon vetëm katër specie kryesore helmuese, ndërsa dhjetëra specie të tjera nuk kanë trajtim të dedikuar. Studime të fundit kanë treguar se në shumë raste, trajtimi standard nuk jep rezultate efektive, duke nënvizuar nevojën urgjente për antidote rajonale.

Organizatat kërkimore po punojnë për zhvillimin e trajtimeve të reja, por procesi është i gjatë dhe kërkon burime të konsiderueshme. Ekspertët kërkojnë gjithashtu që pickimet nga gjarpërinjtë të klasifikohen si sëmundje e detyrueshme për raportim, për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave dhe reagimin institucional.

Siç thekson mjeku Yogesh Jain për BBC, “vdekjet nga pickimet e gjarpërinjve fillojnë aty ku përfundon vullneti politik”, duke nënvizuar nevojën për investime më të mëdha në sistemin shëndetësor dhe mbrojtjen e komuniteteve më të varfra.