"Drejtësia po i ekspozon"/ Gjeta: Korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes

Anëtari i Forumit të Dialogut Politik, Altin Gjeta, në një intervistë për Ora News tha se nisma e Forumit të Dialogut Politik është jashtë politikës partiake, por e ndërtuar mbi ide politike dhe analiza të realitetit social-ekonomik në Shqipëri.

Sipas Gjetës, themeluesit e kësaj iniciative janë kontribuues publikë dhe studiues që prej vitesh diskutojnë mbi sfidat madhore me të cilat përballet vendi, në veçanti korrupsionin.

Ai theksoi se korrupsioni është përhapur në mënyrë sistemike në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe se tashmë nuk janë më vetëm raportet ndërkombëtare që e evidentojnë këtë fenomen, por edhe vetë drejtësia, e cila sipas tij po e ekspozon hapur këtë realitet.

“Një nismë jashtë politikës, por me ide politike sepse të gjithë themeluesit e kësaj iniciative janë njerëz të cilët, kanë ide politike dhe vëzhgues të imët të realitetit politikë social-ekonomik në Shqipëri.

Kontributorë në publik me studime dhe publicistik, prej shumë kohësh ne kemi diskutuar me njëri tjetrin, të shqetësuar nga sfidat e mëdhaja me të cilat po përballemi.

 Gjithësisht me korrupsionin, që është përhapur në mënyrë sistemike.

Këtë nuk e thonë më vetëm raportet ndërkombëtare se ne jemi mësuar që i jemi referuar raporteve ndërkombëtare, të cilat janë interpretuar sipas orekseve të politikës.

Tashmë, korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes, po e ekspozon drejtësia.”- tha ai.