Korridore humanitare në veri të Sirisë/ OKB shpërndan ndihma humanitare për civilët
Një korridor humanitar është hapur drejt qytetit të Kobanit, në veri të Sirisë, zonë me shumicë popullsi kurde, e cila prej kohësh ndodhej e rrethuar nga forcat qeveritare.
Konvoja e parë e OKB-së ka mbërritur tashmë në qytet, duke shpërndarë ndihma jetike për civilët e zhvendosur nga përleshjet e fundit.
Sipas burimeve zyrtare, armëpushimi mes Damaskut dhe forcave kurde është zgjatur edhe për 15 ditë, pas tërheqjes së këtyre të fundit përballë avancimit të ushtrisë siriane.
Banorët e Kobanit, i njohur edhe si Ayn al-Arab, raportojnë mungesa serioze të ushqimit, ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, ndërsa qyteti është mbushur me civilë të zhvendosur nga zonat përreth.
Ushtria siriane ka hapur dy korridore humanitare, një drejt Kobanit dhe një tjetër drejt provincës fqinje Hasaka, e konsideruar bastion i forcave kurde.
Sipas OKB-së, konvoja përbëhet nga 24 kamionë me ushqime dhe karburant, për të mbuluar nevojat bazë të popullsisë gjatë muajve të dimrit. Operacioni është realizuar në bashkëpunim me qeverinë siriane.
Kobani ndodhet pranë kufirit me Turqinë, rreth 200 kilometra larg bastioneve kryesore kurde në verilindje të Sirisë, dhe mbetet ende i rrethuar nga forcat qeveritare. Qyteti ka një rëndësi simbolike të veçantë, pasi në vitin 2015 u çlirua pas luftimeve të ashpra, duke shënuar një nga fitoret e para të mëdha kundër ISIS-it.
