Shuhet ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, KOKSH: Pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit”

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta, në moshën 73-vjeçare, të një prej figurave të shquara të basketbollit shqiptar, Spiro (Pirro) Koleka.

Në një mesazh ngushëllimi, KOKSh vlerëson kontributin e Kolekës si pjesë e “brezit magjik” të ekipit “17 Nëntori” (sot KS Tirana) në vitet ’70, një periudhë e artë për basketbollin shqiptar, ku ai la gjurmë të pashlyeshme me talentin dhe përkushtimin e tij.

Më pas, Spiro Koleka e çoi përvojën dhe pasionin për basketbollin edhe në arenën ndërkombëtare, duke ushtruar me sukses detyrën e trajnerit në kampionatin italian, ku drejtoi skuadrën e njohur Victoria Libertas Pesaro.

Sipas KOKSh-it, kontributi i tij në sport, profesionalizmi dhe dashuria e palëkundur për basketbollin do të mbeten një frymëzim i qëndrueshëm për brezat e rinj të sportistëve shqiptarë.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Koleka, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv për këtë humbje të madhe.

Spiro (Pirro) Koleka do të kujtohet si një emër i respektuar dhe një mjeshtër i vërtetë i basketbollit shqiptar.