DORA MË E VJETËR/ Zbulim arkeologjik rishkruan historinë e artit njerëzor
Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik vjen nga Indonezia, ku është identifikuar vizatimi më i lashtë shkëmbor i njohur deri më sot. Bëhet fjalë për një gjurmë dore, e krijuar rreth 67 mijë e 800 vjet më parë. Zbulimi hedh dritë të re mbi origjinën e artit dhe lëvizjen e hershme të njerëzimit.
Një shenjë e zbehur e një dore në murin e një shpelle në Indonezi është shpallur si vizatimi më i vjetër shkëmbor i njohur në botë. Sipas arkeologëve, kjo vepër arti primitive është krijuar rreth 67 mijë e 800 vjet më parë, duke tejkaluar me dhjetëra mijëra vjet artin parahistorik të njohur deri më sot.
Zbulimi u bë në një shpellë gëlqerore në ishullin Muna, në rajonin e Sulawesit juglindor, një zonë që vizitohet edhe nga turistë. Për habinë e studiuesve, vizatimi kishte kaluar pa u vënë re për një kohë të gjatë, pasi ndodhej pranë pikturave më të reja që paraqesin kafshë dhe figura të tjera njerëzore.
Shkencëtarët përcaktuan moshën e vizatimit duke analizuar një shtresë shumë të hollë mineralesh që ishte formuar mbi të me kalimin e kohës. Kjo metodë u dha atyre një moshë minimale, çka do të thotë se vizatimi është të paktën aq i vjetër sa vetë shtresa e gurëzave.
Vizatimi është realizuar me një teknikë të thjeshtë, por të njohur për njerëzit e asaj kohe: dora vendosej mbi mur dhe përreth saj spërkatej okre me ngjyrë të kuqerremtë, e përzier me ujë. Kur dora hiqej, në mur mbetej forma e saj.
Ajo që ka habitur studiuesit është forma e pazakontë e gishtave, të cilët duken të zgjatur dhe me maja, sikur të jenë modifikuar qëllimisht. Disa shkencëtarë mendojnë se ato mund të simbolizojnë kthetra ose të kenë pasur një kuptim ritual apo shpirtëror, megjithëse domethënia e saktë mbetet ende mister.
Ky zbulim konsiderohet tejet i rëndësishëm, pasi mund të ndihmojë në kuptimin e migrimit të hershëm të njerëzve nëpër ishuj dhe rrugët që mund t’i kenë çuar deri në Australi. Sipas disa hipotezave, kjo “dorë” mund t’u përkasë paraardhësve të popujve autoktonë australianë
