Kanceri i qafës së mitrës/ Gjinekologia Omeri: Europa ndjek politikat e parandalimit, në Shqipëri nuk i njohin ende
Në një intervistë për “Ora News”, gjinekologia Xheni Omeri theksoi se, ndërsa vendet europiane po e zhdukin kancerin e qafës së mitrës përmes testimeve të hershme dhe vaksinimit, Shqipëria mbetet shumë pas dhe shumë gra rrezikojnë diagnoza që mund të parandaloheshin.
"Muaji janar është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës.
Shqipëria në krahasim me vendet e tjera është shumë mbrapa dhe ka akoma shumë punë për të bërë.
Nëse do e krahasojmë me Australinë, Zelandën, vendet nordike, shumë vende të tjera europiane, e kanë në zhdukje diagnozën kancer të qafës së mitrës.
Nuk ka më grua që shtrohet në pavionin e gjinekologjisë ose onkologjisë për këtë diagnozë, por e zhdukin dhe ky është fokusi.Në 2030 mund t'ia arrijë qëllimit.
Kanë futur politikat e parandalimit nëpërmjet 'pub testit', tipizimit të HPV-së, dhe vaksinës si tek vajzat në moshën e pubertetit ashtu dhe tek djemtë.
Nëpërmjet këtyre masave, sot kanceri i qafës së mitrës kapet në lezione shumë fillestare, pre kancerogjene ku ende nuk i shikojmë me sy të lirë.
Një grua nuk ka pse ti hiqet qafa e mitrës, apo të jetë në betejë me jetën për diagnozën kancer i qafës së mitrës.
Në Shqipëri akoma ke gra 40-vjeç, që kanë kaluar disa herë tek mjeku gjinekolog, mund të kenë bërë 2-3 lindje me mjekun e tyre gjinekolog dhe nuk kanë bërë një 'pub test'", u shpreh Omeri.
