2 SHQIPTARË NË FORMACIONIN E JAVËS/ Gjimshiti dhe Rrahmani, mes më të mirëve të javës në Serinë A

Berat Gjimshiti dhe Amir Rrahmani janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serinë A. Kapiteni i kombëtares u shpall lojtari ndeshjes në fitoren e Atalantës ndaj Romës, ndërsa kapiteni i Kosovës shënoi gol në triumfin 2 me 0 ndaj Lacios.

Berat Gjimshiti dhe Amir Rrahmani ishin dy shqiptarët që arritën të lënë gjurmë në në fundjavën e shkuar në Serinë A. 

Dy shqiptarët shkëlqyen duke kontribuar në fitoret e Atalantës dhe Napolit. Paraqitjet e mira të dy mbrojtësve ka bërë që Sofaskorë t’i përfshijë në formacionin më të mirë të javës.

Gjimshiti mori notën e lartë 8.9, e njëjtë me Marcus Thuram, ndërsa Rrahmani u vlerësua me notën 8.0.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare bëri një paraqitje fantastike në fitoren e Atalantës 1 me 0 ndaj Romës. Shqiptari i bëri autokritikë, pas paraqitjes jo të mirë ndaj Interit ku ishte fajtor në golin e pësuar. Ai u shpall lojtari i ndeshjes, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon.

Ndërkaq, Amir Rrahmani arriti të shënojë gol në Serinë A. mbrojtësi dardan vulosi fitoren e Napolit ndaj Lacios me rezultatin dy me 0.

Të dy mbrojtësit janë lojtarë titullarë me ekipet e tyre. Forma e mirë e shqiptarëve ka sjellë siguri në prapavijën e Atalantës dhe Napolit.

Paraqitje pozitive bëri edhe Ismajli me Torinon, por nuk ia doli të sigurojë një vend mes më të mirëve.

Ndërkaq, pjesë e formacionit më të mirë të javës në Serinë A janë edhe yjet si Lautaro Martinez, Marcus Thuram dhe Kenan Yildiz.